PANKREASI
Pankreasi është një nga gjëndrat kryesore të aparatit tretës. Ai ndodhet prapa stomakut, i zhvendosur në anën e majtë, dhe me anën e një kanali të posaçëm derdh në duoden lëngun pankreatik. Ky lëng përmban disa enzima shumë të rëndësishme, si. p.sh, tripsinë, lipazë e amilazë, që marrin pjesë në përpunimin e në zbërthimin kimik të ushqimeve.
Përveç lëngut pankreatik, pankreasi prodhon edhe insulinë. Insulina nga pankreasi derdhet drejtpërdrejt në gjak. Kjo lëndë ka për detyrë kryesore të rregullojë sasinë e sheqerit në gjak, në përputhje me nevojat e organizmit. Nëse pankreasi nuk prodhon sasinë e nevojshme të insulinës, atëherë rritet sasia e sheqerit në gjak dhe shfaqet ajo që quhet sëmundja e sheqerit ose diabeti.