PERCEPTIMI
Perceptimi është ai proces, me anën e të cilit ne pasqyrojmë në tru sendet dhe fenomenet në tërësinë e tyre, me të gjitha vetitë që i karakterizojnë. Kështu, p.sh., nëpërmjet organeve të shqisave ne arrijmë të pasqyrojmë në tru jo vetëm ngjyrën e mollës, por edhe formën e saj, aromën, shijen, peshën etj.
Megjithatë perceptimi nuk është thjesht një Shumë ndijimesh. Truri ka aftësinë që jo vetëm të pasqyrojë vetitë e veçanta të sendeve, por të arrijë edhe në përgjithësime, të përcaktojë se çfarë është sendi ose fenomeni etj. Pra, truri ka aftësinë të mos mbetet vetëm në njohjen e jashtme të sendeve, por të hyjë edhe në thelbin e tyre. Në këtë mënyrë perceptimi shërben si bazë për një veprimtari më të lartë, për të kaluar në të menduarit abstrakt.