PARIDI, ENONA DHE MOLLA E ARTË
— Do të na e mbarosh historinë e Enonës? — pyetën Leoja dhe Lia.
— Enona dhe Paridi rronin bashkë dhe ishin të lumtur. Mirëpo një ditë prej ditësh u bë një rrëmujë e madhe në Olimp, në shtëpinë e zotave. Teti, një nga perëndeshat e detit, do të martohej me Peleun, mbretin e Ftias, dhe tërë zotat ishin mbledhur për të uruar dhëndrin dhe nusen e u kishin sjellë dhurata. Hefesti, që ishte perëndia e zjarrit dhe dinte të fabrikonte armët më të bukura të botës, i dhuroi Peleut një heshtë dhe një mburojë. Paladë Atena, perëndesha e luftës, i solli një përkrenare dhe një heshtë. Poseidoni, perëndia e detit dhe e kuajve, solli me vete dy kuaj të mrekullueshëm, që ishin të pavdekshëm, kurse Afërdita, perëndesha, e dashurisë dhe e bukurisë, i dhuroi Tetit një fustan madhështor.
— Cila ishte Teti? Nusja? — pyeti Leoja.
— Po.
— Mos ishte perëndeshë?
— Po.
— Po ai që i dhuruan heshtën dhe kuajt, s’ishte perëndi?
— Jo, ishte njeri. Tetit nuk i kishte pëlqyer në fillim të martohej me një njeri, po askush nuk donte ta merrte për grua, sepse të gjithë e dinin që djali i Tetit do të ishte më i fortë se i ati. Perënditë nuk donin të kishin fëmijë më të fortë se vetja, kurse njerëzit pranonin. Kësodore, Teti u martua me një njeri që quhej Pele, që ishte mbreti i Ftias, dhe bëri një djalë, që ishte më i fortë se Peleu e se të gjithë njerëzit.
—Si e quanin?
E quanin Akil. Po tani të flasim për dasmën dhe për dhuratat. Pranvera erdhi me buzë në gaz dhe me plot lule të freskëta, trëndafila dhe zymbyla; Vera me kanistra të mëdha mbushur me pemë të praruara dhe duaj të artë; Vjeshta topolake me vile rrushi, kacekë me verë dhe pirgje me mollë të kuqe. Nereidet, vajzat zëëmbla, i thurën këngë dhe e ngritën në qiell Tetin dhe Peleun; të pesëdhjetë vajzat e Nereut, motrat e Tetit, zënë dorë për dore, drodhën valle tok me nusen mbi rërën e ndritshme. Kironi, njëri nga centaurët1) që kishte ardhur në gosti, foli për Akilin, për djalin që do të lindte Teti, për heroin flokëverdhë që do të mahniste mbarë botën me trimërinë e tij të pashoqe. Pastaj erdhi Ganimedi, i përkëdheluri i Zeusit, zbrazi nga amforat e arta nektarin, verën e zotave; atëherë tërë perënditë u shtruan të hanin e të pinin dhe po rrinin të qetë dhe të kënaqur.
Midis të ftuarve ishte pa dyshim edhe Erosi, djali i Afërditës, i cili ishte si e ëma, perëndia e dashurisë. Ky ishte flokëverdhë, i bukur dhe çapkën; ishte plot naze dhe mbante gjithnjë me vete harkun dhe shigjetat. Kur donte që ndonjëri, qoftë njeri, qoftë perëndi, të binte në dashuri, e godiste me njërën nga shigjetat e tij dhe, me ta goditur, njeriu a perëndia binte në dashuri sipas qejfit të Erosit. Erosi kishte zënë, pra, në gostinë dasmore vendin e nderit, pranë nuses, kur sesi i vajtën sytë dhe pa që hyri një e paftuar, të cilën e kishte zët. E vështroi mirë e mirë: kjo ishte Erisi, Grindja, një perëndeshë që u prishte qetësinë të gjithëve dhe i shtynte të ziheshin. Erosi s’e shihte dot me sy Erisin, s’do mend. Ajo i kishte prishur punë shumë herë. Dhe, kur e pa aty, s’i erdhi mirë.
«Pse ka ardhur këtu Erisi? — mendoi Erosi. — Asaj i pëlqen vetëm të bërtasë, të thotë fjalë të trasha, të jetë e pasjellshme, e s’e zë vendi gjersa t’i inatosë njerëzit. Sa mirë do të bënim sikur ta hiqnim qafe!»
Kështu Erosi, i lehtë si një flutur, iu lëshua Erisit pa rënë në sy.
—Përse erdhe në dasmë? Të gjithë jemi shend e verë dhe s’kemi nevojë të grindemi. Pastaj, ti erdhe pa ftuar! Sjellje është kjo, të vesh aty ku s’të ftojnë?
—Sjelljen e di më mirë se ti, djalë i papjekur! — tha perëndesha. — Se s’më ftuan, pa desha të vij këtu! Mos të duket se u sollën mirë që s’më ftuan? Zotat më njohin! U kam futur grindjen shumë herë.
—E di, por sot e mira është të shkosh që këtu. Pa shiko aty, midis njerëzve, ndodhen dy fëmijë që po luajnë urtë e butë. Shko tek ata. Me t’u afruar pranë tyre, vajza e mitur do t’i kërkojë të vëllait një nga lodrat e tij, ky do t’i përgjigjet se nuk do t’ia japë dhe vajza do t’ia rrëmbejë; më në fund do të kacafyten me gjithë mend dhe ti do të zbavitesh pa masë. Shko, shko që këtu. Sot është e mira të jesh larg Olimpit.
Erisi iku duke pëshpëritur nëpër dhëmbë me inat. Po thoshte me vete: «Ç’më hyjnë në punë këta fëmijë që po luajnë! Dua t’u marr shpagim zotave që s’më ftuan, dhe Erosit që më dëboi! Do ta marr hakun! Do ta marr hakun! Do ta gjej mjetin. Ja, ja ku e gjeta që ç’ke me të! Do të ta ndreq samarin, 0 Eros!
Perëndesha Eris shkoi me vrap në kopshtin e Nereideve, një kopsht i mrekullueshëm, ku kishte një pemë që bënte mollë të arta. Këputi një nga këto mollë, shkroi diçka mbi të dhe u kthye në Olimp. E hodhi shpejt e shpejt mollën mbi tryezë, pa e parë Erosi, dhe krisi e iku.
—Pse? — pyetën Leoja dhe Lia.
—Tani do ta merrni vesh. Kur panë zotat këtë mollë mbi tryezë, donin ta preknin me dorë, të lexonin ç’ishte shkruar mbi të e zunë të shtynin shoqi-shoqin kush ta shihte më parë.
—Çfarë është?
—Një mollë e artë.
—Kush e ka sjellë?
—Lërmë ta shoh!
—Më parë dua ta shoh unë!
—Jo, më takon mua ta shoh i pari!
Flitnin të gjithë në një gojë, të gjithë bërtitnin, ziheshin, shkelnin njëri-tjetrin, shtyheshin me bërryla… Erisi i vështronte së largu dhe i bëhej zemra mal.
—Pse? — pyeti Lia.
—Sepse ia arriti qëllimit: në Olimp u bë rrëmujë. Më në fund Zeusi, ati i njerëzve dhe i zotave, e mori në dorë mollën dhe lexoi atë që ishte shkruar mbi të.
—Ç’ishte shkruar? — pyeti Leoja.
—Ja ç’ishte shkruar: «Më të bukurës». Zeusi e lexoi dhe zotat u qetësuan. U qetësuan zotat, po përfytyroni se ç’potere bënë perëndeshat! Perëndeshat, sidomos ato tri më të bukurat, Paladë Atena, Hera, e shoqja e Zeusit, dhe Afërdita zunë të bërtitnin, të çirreshin kush e kush më tepër. Erisi i vështronte së largu… dhe i bëhej zemra mal.
Zeusi u ngrit menjëherë më këmbë: shpërtheu një bubullimë, që tundi e shkundi tërë Olimpin.
—Perëndesha më e bukur, — tha Zeusi, — do të marrë mollën e artë. Po kush mund të gjykojë cila është më e bukura midis Paladë Atenës, Herës dhe Afërditës? Këtë s’mund ta them as unë, as ndonjë nga zotat e tjerë. Gjykimin duhet ta japë ndonjë i vdekshëm.
—Ç’do të thotë i vdekshëm? — pyeti Leoja.
—Do të thotë që vdes, pra, do të thotë njeri, sepse perënditë nuk vdisnin, ishin të pavdekshme.
—Në malin Ida, — tha Zeusi, — banon një i ri shumë i pashëm, që quhet Parid Aleksandër. Ai e di se është i biri i bariut Agela, kurse në të vërtetë është djali i Priamit, mbretit të Trojës. Paridi do ta japë gjykimin. Afërdita, Hera dhe Atena le të shkojnë tek ai; do t’i shoqërojë Hermesi.
—Cili ishte Hermesi? —pyeti Lia.
—Ky ishte një perëndi që kishte flatra në këmbë dhe përmbushte porositë e zotave të tjerë. Ishte lajmëtari i perëndive. Zeusi ia dha mollën e artë Hermesit, i cili i çoi të tri perëndeshat në malin Ida. Në Olimp pushoi sherri dhe vazhdoi gostia gazmore e dasmës.
Ndërkaq Paridi po rrinte fill i vetëm te luadhi, në hijen e ahut të lashtë, sepse Enona kishte shkuar në pyll për të kërkuar lule dhe dredhka. Ai po ruante dhentë, po mendonte për Enonën e tij të dashur dhe e ndiente veten të qetë e të lumtur, kur një i huaj bëri ballë para tij. Paridi u tremb pak, sepse nuk e kuptonte nga. ç’anë kishte ardhur aty. i huaji. Ky ishte Hermesi, që mbante në dorë mollën e artë. Ai i foli Paridit sikur e njihte prej shumë kohësh.
—Mos u tremb, Parid Aleksandër, — i tha Hermesi, — dhe hiqe mendjen për ca çaste nga kopeja. Eja të japësh gjykimin tënd për perëndeshat, që kanë lënë qiellin për t’i parë ti. Thuaj, cila të duket më e bukura dhe jepja asaj këtë mollë. Perëndesha do të kënaqet.
—Kujt ia dha mollën? — pyeti Leoja, që ishte shumë kureshtar. — Besoj se Atenës. — Leoja foli kështu, sepse e kishte marrë me sy të mirë Paladën.
—Do ta marrësh vesh. Paridi ngriti sytë, i pa perëndeshat, që ishin që të tria shumë të bukua, dhe mbeti pa mend. Gjer atëherë s’kishte menduar kurrë të ishte njeri i madh, po tani e kuptonte se ishte bërë njeri me rëndësi, më trimi i botës, më fatmadhi i njerëzve. E ndiente veten shumë të lumtur, sepse pati rastin të shihte tri perëndesha kaq të bukura dhe një perëndi me flatra në këmbë! Mirëpo që atë çast zunë fill të gjitha mjerimet për Paridin e shkretë.
—Pse? — pyetën Leoja më Lian.
—Pritni. Paridi po rrinte i heshtur dhe po i vështronte të tri perëndeshat, kur njëra syresh, Paladë Atena, e kapi për dore dhe i tha:
Eja, o bir i Priamit, eja të soditësh perëndeshën e luftës dhe të dijes. Ti duhet të mbrosh muret e Trojës. Po të ma japësh mua mollën e artë, do të të bëj njeri të ditur. Po të ma japësh mua mollën e artë, do të ta shpëtoj qytetin dhe do të të bëj më të fortin midis gjithë luftëtarëve.
—Vështromë, Parid, — tha Hera, — vështro bashkëshorten e Zeusit, atit të zotave. Ti je princ dhe bir mbreti, por unë mund të të bëj mbretin më të fuqishëm të botës. Gjithë Azia do të gjunjëzohet para teje në ia dhënsh mollën e artë Herës! Ç’rëndësi ka të jesh i fortë dhe i ditur? Ajo që ka rëndësi është të komandosh shumë njerëz, të sundosh shumë vende, të jesh shumë i pasur.
—Më duket se Hera s’tha ndonjë gjë të vërtetë, — vërejti Leoja.
—Edhe mua, — tha e ëma.
—Edhe mua, — përsëriti Lia.
—Pas Herës foli Afërdita. Ajo tha:
—O Parid, vështro Afërditën, perëndeshën e dashurisë. Ç’të hyn në punë të jesh i fortë dhe i ditur? Ç’të hyn në punë të sundosh shumë njerëz dhe të kesh pasuri të mëdha? Po t’ia japësh mollën e artë Afërditës, Afërdita do të të japë për grua Helenën, më të bukurën e botës. Dhe do të jesh i lumtur.
Paridi e vështroi Afërditën që po buzëqeshte, mendoi se do të jetonte me gruan më të bukur të botës dhe ky mendim e robëroi. Ia dha mollën e artë Afërditës. Hera dhe Atena ia ngulën sytë një çast në heshtje, si për ta qortuar. Pastaj të tri perëndeshat u zhdukën. Hermesi u zhduk dhe të gjithë u kthyen në Olimp. U zhdukën perëndeshat me Hermesin dhe Enpna u kthye me vrap. Kishte sjellë plot lule dhe dredhka.
—Enonë, — i tha Paridi, — a e di se unë jam biri i Priamit, mbretit të Trojës? Këtë ma thanë tri perëndesha.
—E di, — u përgjigj Enona.
—Pse s’ma ke thënë ndonjëherë?
—Sepse ishte më mirë të mos e dije. Ishte më mirë për ty të jetoje si bari. Kështu je i lumtur; ku dihet, a do të jesh i lumtur në pallatin e një mbreti?
Enona i vuri Paridit në kokë një kurorë lulesh dhe u ul pranë tij.
—Pa më thuaj, pse erdhën këtu të tri perëndeshat e Olimpit?
Paridi ia tregoi të gjitha, po nuk tha asgjë për Helenën, që të mos e hidhëronte Enonën.
—Çfarë të premtoi Paladë Atena?
—Të më bëjë të fuqishëm dhe të ditur.
—Çfarë të premtoi Hera?
—Të më bëjë mbret të madh.
—Po Afërdita?
Paridi nuk deshi të përgjigjej, sepse e kuptoi që kishte zgjedhur keq.
—Mos ma kujto atë që më premtoi Afërdita. Dua ta harroj. Dua të rri gjithnjë me ty.
Kështu foli Paridi, dhe ai me Enonën vazhduan të jetonin së bashku si më parë.
—A qëndruan bashkë përgjithmonë? — pyeti Leoja.
—Do t’jua them nesër, — u përgjigj e ëma. — Për sot mjaft me kaq.
Leoja, të cilit ia kishte ënda të dëgjonte edhe më për këtë histori, mezi po priste të nesërmen.
_______
1) Centaur — gjysmë njeri, gjysmë kalë
Rrëfime për heronjtë e Trojës