PATSONA HALIL


PATSONA HALIL
✤ (? — 1730). Figurë historike me origjinë shqiptare, udhëheqës i kryengritjes qytetare të Stambollit më 28-30 shtator 1730 kundër regjimit të sulltan Ahmetit III. Qëllimi i kryengritjes ishte lehtësimi i masave popullore nga arbitrariteti e shfrytëzimi i sulltanëve. Me nxitjen dhe ndihmën e kadiut të Stambollit, Hasan Zylal efendiut nga Korça dhe të dy shqiptarëve të tjerë, Ali Kafexhiut dhe pemëshitësit Muslim, P. H. u vu në krye të një mase të madhe njerëzish, midis të cilëve 12 mijë shqiptarë dhe mjaft jeniçerë. Kryengritësit rrëzuan sulltan Ahmetin III dhe sollën në fron Mahmutin I. Kryengritja pati karakterin e një lëvizjeje të shtresave të varfra qytetare me qëllim uljen e taksave. Lëvizja nuk pati jetë të gjatë dhe udhëheqësi i saj u vra tradhtisht nga njerëzit e klasës sunduese.

(Z.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Patsona Halil


[cite]