PAVLLA
✤ Lumë, në pjesën më jugore të Shqipërisë (rrethi i Sarandës), me gjatësi 50 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 374 km2, lartësinë mesatare 521 m. Dega më e madhe, përroi i Karroqit (Ksantos), që është zgjatje e P. buron në JL të majës së Shtugarës, tej kufirit shtetëror. Në pjesën e sipërme të pellgut, P. rrjedh në një luginë të ngushtë, me shpate të pjerrëta e të thella në shkëmbinj gëlqerorë. Në zonën fushore, lugina zgjerohet e kalon në flish dhe në molasë. P. në filli-m rrjedh nga VP, në afërsi të fshatit Komat bën një kthesë dhe merr drejtim në JP, e mandej në Çiflig rimerr drejtimin VP. Nëpër fushën e Mursisë dhe të Vrinës rrjedh në një shtrat të sistemuar, të mbrojtur me penda anësore të ndërtuara në të dy brigjet, kalon në J të liqenit të Butrintit dhe derdhet në Detin Jon në Gjirin e Butrintit. Zona fushore më parë ka qenë moçalishte. Me bonifikimin e fushave të Mursisë e Vrinës (1959) dhe me ngritjen e një rrjeti kanalesh kulluese e ujitëse, u kthye në toka pjellore. Prurja mesatare e P. është 6.51 m3/sek (në Bogaz), ujërat përdoren gjerësisht për ujitje.

(R.S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pavlla


[cite]