PENTARI
✤ Fshat në rrethin e Shkodrës (JP), në krahun e majtë të Bunës. Bën pjesë në fshatin e bashkuar Dajçi i Bregut të Bunës (shih) Përmendet në burimet e shkruara që në shek. XV. Në të kalurën përmbytej nga vërshimet e Bunës. Banorët kanë marrë pjesë në Luftën ANÇ. Para tërmetit të 15 prillit 1979 fshati shtrihej në fushën e P., fshati i ri u ndërtua në shpatin e kundërt që quhet mali i P. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1957. P. përfshihet në koop. e bashkuar të Dajçit. Ka drejtim kryesor prodhimin e misrit dhe merren rendimente të larta. P. ka shkollë 8-vjeçare, vatër kulture, muze, ambulancë, njësi tregtare e komunale.

PEPO Gavril (1892-1944). Patriot demokrat dhe luftëtar i dalluar i periudhës së Rilindjes, të Pavarësisë dhe të Luftës Nacionalçlirimtare. Lindi në Korçë ku kreu edhe shkollën fillore. Punoi si çirak dhe në vitin 1908 mori pjesë në bandën «Liria» dhe në klubet patriotike të qytetit. Në vitet 1911-1912 punoi për krijimin e çetave antiosmane dhe luftoi me armë në dorë në to. Më 1912 për çështje të lëvizjes kombëtare u dërgua në Rumani nga ku u kthye në Vlorë me patriotë të tjerë shqiptarë për të marrë pjesë në ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912. Më 1913-1914, me detyrën e oficerit dhe të zëvendëskomisarit të policisë, luftoi kundër andartëve grekë për vendosjen e administratës së qeverisë shqiptare në Skrapar dhe në Korçë. Pas largimit të Princ Vidit mërgoi jashtë vendit në fillim në Rumani e Bullgari dhe pastaj në SHBA.

U kthye në atdhe më 1919 dhe u bë një nga organizatorët e demonstratës popullore kundër gjendjes së mjeruar ekonomike në Korçë (mars 1923) dhe përkrahu Demonstratën e Bukës të shkurtit 1336. Për shkak të qëndrimit antizogist më 1937 u pushua nga puna për një periudhë dyvjeçare. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me Grupin Komunist të Korçës. Gjatë viteve të pushtimit fashist, G. P. mori pjesë aktive në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe në tetor 1943 u zgjodh kryetar i Këshillit naeionalçlirimtar ilegal të Korçës, detyrë të cilën e kreu derisa vdiq. (V.Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pentari


[cite]