PEQINI
✤ Qytet në rrethin e Elbasanit, në bregun e djathtë të Shkumbinit të poshtëm. Popullsia 6300 banorë. Qytet i lashtë me emrin Klodiana ishte në një pikë me rëndësi ku bashkoheshin dy degët e rrugës Egnatia, njëra që niste në Durrës dhe tjetra në Apoloni. Më 1431 merr emrin Beklejen dhe më vonë Peklin. Ruhen rrënojat e kalasë së lashtë dhe një banjë romake e përshtatur në hamam në periudhën e sundimit osman. U zhvillua si qendër zejtare e tregtare në shek. XVIII-XIX. Në qendër u ngrit kulla karakteristike e orës, që ruhet mirë edhe sot. Këshilli NÇ u ngrit më 1943. Banorët kanë marrë pjesë gjallërisht në Luftën ANÇ. Pas Çlirimit P. u shndërrua në një qendër bujqësore-industriale. Është zhvilluar sidomos ind. e lehtë dhe ushqimore. Vend me rëndësi në ekonomi zënë pemëtaria dhe rritja e gjedhit. P. ka shkollë 8-vjeçare, 1 shkollë të mesme të përgjithshme dhe 1 shkollë ,të mesme bujqësore, kopshte, çerdhe, muze, pallat kulture, spital, rrjet të shërbimit tregtar e komunal.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Peqini
[cite]