PESHKIMI
✤ Degë e ekonomisë që merret me gjuetinë dhe me rritjen e peshqve dhe të kafshëve të tjera të ujit në det dhe në ujërat e brendshme. Gjuetia e peshkut në det njihej që në kohët më të lashta. Deri në vitet 20 të shek. XX peshkimi në det të hapur e sidomos në bregdet e në liqenet e Shqipërisë ushtrohej nga peshkatarët me mëditje e me barka peshkimi të pronarëve sipërmarrës si dhe nga peshkatarë zejtarë. Si mjete tradicionale janë përdorur rrjetat prej liri, pezaulet, koshat e thurur me thupra, fuzhnjat, grepat etj. Qendra të përmendura P. kanë qenë Bregu i Bunës, Ulqini, Narta, Butrinti etj. Dajlanet u ishin dhënë në sipërmarrje kapitalistëve vendas. Nga v. 1927 filluan të marrin në koncesion P. shoqëri kapitaliste, kryesisht italiane, në lagunat e dajlanet bregdetare të Lezhës, Durrësit, Karavastasë, Vlorës, Himarës, Butrintit etj. Më 1938 shoqëria «Peskalba» mori në koncesion në kushte monopoli shfrytëzimin e peshkut në të gjithë ujërat e Shqipërisë.
Pas Çlirimit, gjuetia e peshkut filloi të ushtrohej nga peshkatarë-zejtarë që më 1946 u organizuan në Kooperativa të peshkimit (shih). Më 1947 u ngrit edhe ndërmarrja e parë shtetërore e P. në Durrës dhe më vonë edhe disa ndërmarrje të tjera, që merreshin me P. në ujërat detare. P. në ujërat e brendshme deri më 1955 ushtrohej nga.koop. e P. më vonë nga ndërmarrjet e P. Sot P. përfshin gjuetinë ose zënien si dhe rritjen e peshkut (shih). Për zënien e peshkut në det të hapur e në bregdet ka 4 ndërmarrje, në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë. Në ujërat e brendshme P. ushtrohet nga ndërmarrjet e rritjes dhe të zënies së peshkut në Shkodër, Ulëz, Kavajë, Lushnje, Fier, Sarandë, Korçë si dhe nga agjencitë e P. në Pogradec, Belsh, Kukës, Gjirokastër, Krujë. Ato merren me gjuetinë e peshkut në laguna, liqene, gjole, lumenj, ujëmbledhës, kanale e në bregdet, si dhe me ekonomitë e rritjes së peshkut. Anije P. të pajisura me teknikë të përparuar ndërtohen në vend nga Kantieri detar në Durrës. Më 1983 në krahasim me v. 1960 numri i anijeve të flotës sonë të peshkimit u dyfishua. Gjuetia bëhet e mekanizuar me anije që tërheqin trata funaore e gjysmëfundore, me drita me trata rrethuese, përdoren aparatura të zbulimit të peshkut, gjuetia me mjete të lehta si njica, trata krahu, grepa etj. Është ngritur Stacioni i kërkimeve shkencore të peshkimit (shih). Më 1982, sasia e peshkut të zënë ishte 11,8 herë më e madhe se më 1938; 6,3 herë më e madhe se në 1950; 3,6 herë më e madhe se në 1960 dhe 2,2 herë më e madhe se në 1970. Ind. ushqimore (shih) përpunon konserva peshku (sardele, gjucë,‘ton, stavrid, ngjalë etj.) në Kombinatin e konservave «E. Telman» (Vlorë), si dhe në fabrikat e Korçës dhe Lezhës. Bëhet edhe miellëzimi i të brendshmeve si dhe i peshqve të kategorive të ulta për ushqimin e shpendëve dhe kafshëve.
(E. Ka.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Peshkimi