PORTI DETAR I DURRËSIT ENVER HOXHA


PORTI DETAR I DURRËSIT ENVER HOXHA
✤ Porti kryesor i vendit dhe një nga portet e mëdhenj në detin Adriatik dhe Jon. Që nga prilli 1985 mban emrin e udhëheqësit të Partisë e të popullit shqiptar, Enver Hoxha. Gjatë lashtësisë .e në mesjetë ka qenë ndër skelat më të mëdha dhe më të rëndësishme të bregdetit të Adriatikut. Gjatë viteve 1928-34 u ndërtua porti me 550 m kalatë dhe me thellësi 7 m. Ai u hodh në erë nga pushtuesit nazistë në qershor 1944.

Pas Çlirimit, deri më 1952 u bë rindërtimi. Më pas u ndërtuan kalata të reja, sheshe, magazina etj. Me zgjerimin e rikonstruksionin pas vitit 1969 ka sot sipërfaqe ujore prej 85 ha e gjatësi të kalatave 1763 m. Thellësia deri në 9.85 m lejon hyrjen e anijeve për mallra të ndryshme deri në 25 000 tonë. Shkalla e mekanizimit të portit është 87.3%, ndë’rsa në kalatën e ngarkimit të mineraleve mekanizimi është i plotë. Për këtë në bazën mekanike të portit, duke filluar nga v. 1977 janë prodhuar elektrovinça me aftësi ngritëse 5 tonë, vinça-urë 10 tonë, shumë autovinça 5-tonësh. Porti ka rendiment të lartë të përpunimit të mallrave, mbi 1000 tonë për çdo metër linear kalata. Këtu përpunohen xeherorët e kromit e të hekur-nikelit, bitumi, qymyrguri dhe mallra të ndryshme industriale, produkte bujqësore etj. të eksport-importit shqiptar dhe ato për transport detar të brendshëm. Më 1960, në krahasim me v. 1938, vëllimi i mallrave të përpunuara u rrit 57.3 herë, ndërsa në 1980 u rrit 89,1 herë. Është në ndërtim kalata lindore e mineraleve me gjatësi 880 m, e cila do të pajiset me elektrovinça me aftësi ngritëse 15 tonë që po prodhohen në vend.

(L.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Porti Detar I Durrësit Enver Hoxha


[cite]