PRISHTINA


PRISHTINA
✤ Qytet, kryeqendër e KSA të Kosovës (shih). Shtrihet në luginat e lumenjve të vegjël Prishtevkë e Vellushë në një lartësi 585 m. mbi nivelin e detit, që në disa vende arrin deri 670 m. Në Lindje lartësohen kodrat e Gërmisë, ndërsa përballë hapet panorama e fushës së rrafshët të Kosovës. Në vitin 1981 komuna kishte 211.156 banorë, prej të cilëve 140 907 (67%) ishin shqiptarë. Vetë Prishtina ka 130 000 banorë.

Gjetjet e neolitit në brigjet e Graçanicës dëshmojnë se këto vise ishin të populluara që përpara 6000 vjetësh. Në qytet është zhuluar një nga qendrat më të rëndësishme të neolitit në Kosovë (3000-2500 p.e.r.). Këto si edhe gjetjet në luginën e Vellushës (shek. IV p.e.r.) dëshmojnë për vazhdimësinë e jetës së popullsisë vendase. Gjatë sundimit romak, 10 km në JL të Prishtinës u ndërtua qyteti i madh antik Ulpiana, qendra e provincës ilire të Dardanisë. Me dyndjen e fiseve harbare e sllave në mesjetën e hershme Ulpiana e plaçkitur dhe e rrënuar ia la vendin lokalitetit të ri, Prishtinës. Në periudhën e sundimit serb (shek. XII-XIV) P. që ndodhej në mes të Kosovës pjellore, në rrugën midis minierave të Novobërdës e Kopaonikut, ishte një nga qendrat e jetës politike. Pranë saj u zhvillua beteja e Kosovës (qershor 1389), ku popullsia shqiptare luftoi përkrah popujve të tjerë kundër pushtuesit osman.

Gjatë luftërave austro-turke të shek. XVII, popullsia shqiptare e P. nën udhëheqjen e P. Bogdanit luftoi përkrah ushtrisë austriake kundër sundimit osman. Në shek. XIX sipas shënimeve të A. Bue (1838) P. kishte 7-9000 banorë, ndërsa Hilferdingu (1857) thekson se ky qytet kishte 1500 shtëpi, prej të cilave një e pesta ishin serbë.

Më 1844 fshatarësia shqiptare e P. u përfshi në kryengritjen e madhe antiosmane, që filloi pas zbatimit të reformave të Tanzimatit. Popullsia e qytetit dhe e rretheve mori pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më 1912 popullsia e saj u përfshi në kryengritjen e përgjithshme antiosmane.

Pas pushtimit serb dhe aneksimit në përbërje të Jugosllavisë, P. pothuajse nuk pësoi asnjë ndryshim ekonomik, kulturor, etj. Rrethi i P. ishte një nga rajonet ku u bë shpronësimi masiv e shpërngulja me dhunë e popullsisë shqiptare, mbi të cilën u ushtrua terrori i shfrenuar serbomadh.

Në vitet e Luftës II Botërore P. (me 16000 banorë) u përfshi në zonën e pushtuar nga fashizmi italian si qendër e prefekturës me të njëjtin emër. Rreth 8100 veta nga qyteti e rrethet u inkuadruan në repartet partizane dhe 535 dhanë jetën në luftimet për çlirimin e trojeve të veta e të viseve të tjera të Jugosllavisë.

Në vitin 1947 P. u caktua si qendër administrative e politike e Qarkut Autonom të Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit. Më 1968 dhe më 1981 Prishtina u bë vatra kryesore e demonstratave të popullsisë shqiptare që luftonte për barazinë kombëtare dhe për ta kthyer Kosovën në Republikë në përbërje të Federatës Jugosllave.

Nëntoka e komunës ka rezerva të mëdha qymyrguri në Obiliq, ku janë ngritur edhe termoeentralet, rezerva të plumbit e të zingut në Ajvali, Kishnicë, Novobërdë. Nga objektet e ind. përpunuese të përmendura janë ndërmarrja për prodhimin e materialeve të ndërtimit, e tjerrjes së pambukut dhe e fijeve sintetike, e përpunimit të qumështit, e amortizatorëve, e prodhimeve të gomës, etj. Megjithatë P. ka numrin më të madh të të papunëve në Krahinë. Në prill 1984 në Komunë ishin regjistruar mbi 14.000 të papunë.

Në P. janë përqendruar organet e administratës qendrore të Krahinës, ato të organizatave shoqërore dhe institueionet arsimore e kulturore më të rëndësishme: Universiteti, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, Akademia e Shkencave, Muzeu, Arkivi, Teatri, Biblioteka Krahinore e Universitare, Ndërmarrja Botuese «Rilindja», Radio-Televizioni, etj.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Prishtina


[cite]