PRISKA E MADHE
✤ Fshat në rrethin e Tiranës (L), rrëzë shpatit P të Malit të Priskës. Qendra e fshatit të bashkuar që përfshin dhe fshatrat: Brar, Ferraj, Lanabregas-Shtepëz, Linzë, Surrel, Shtish-Tufinë, Tujan, është në Linzë, popullsia gjithsej 4855 banorë. Dëshmohet si vendbanim që në mesjetë, këtu gjenden edhe rrënojat e një kalaje ilire në Dajt. Në P. janë zhvilluar luftime të ashpra nga repartet e qeverisë së Fan Nolit kundër forcave mercenare jugosllave dhe të bandave të A. Zogut. Këshilli NÇ u ngrit në qershor 1943. Më 23.8.1943 u formua Batalioni partizan «Dajti». Në fund të v. 1943 këtu ka qëndruar Qarkori i PKSH për Tiranën. Forcat e Divizionit I të UNÇ në periudhën 26 qershor — 3 korrik 1944 në P. likuiduan njëra pas tjetrës një varg vatrash të armikut. P. është qendër e koop. së bashkuar «Pasho Hysa». Ka drejtim kryesor prodhimin e drithërave të bukës dhe pemëtarinë. P. ka shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, muze, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale. Është hapur një minierë qymyrguri dhe një për boksite.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Priska E Madhe
[cite]