PRIVILEGJET DHË IMUNITETET DIPLOMATIKE


PRIVILEGJET DHË IMUNITETET DIPLOMATIKE
✤ Të drejta dhe përparësi që u njihen përfaqësive të huaja diplomatike, kryetarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për t’i lehtësuar në kryerjen e detyrave me të cilat janë ngarkuar. Në ditët tona privilegjet dhe imunitetet janë përcaktuar nga Konventa «Për marrëdhëniet diplomatike», nënshkruar në Vjenë më 18 prill 1961, e cila ka hyrë në fuqi më 24 prill 1964 dhe ku ka aderuar edhe shteti ynë. Përfaqësitë diplomatike gëzojnë paprekshmërinë e godinave të tyre, të korrespondencës zyrtare, përjashtimin nga taksat e tatimet fiskale e doganore, të arejtën e komunikimit të lirë me shtetet e tyre me radio, me postë diplomatike, me telegrame të hapura e të shifruara ose me korier diplomatik, të drejtën e mbajtjes në selinë e tyre të flamurit dhe emblemës zyrtare të shtetit të tyre etj. Privilegjet dhe imunitetet diplomatike vetjake përfshijnë paprekshmërinë e përfaqësuesit diplomatik, të banesës dhe pasurisë së tij, përjashtimin nga juridiksioni gjyqësor e administrativ vendës, përjashtimin nga taksat e tatimet si dhe nga tagri e kontrolli doganor. Privilegjet dhe imunitetet diplomatike i gëzojnë edhe bashkëshortët e diplomatëve dhe fëmijët e tyre të mitur. Me disa kufizime, ato i gëzojnë gjithashtu edhe anëtarët e personelit administrativo-teknik dhe të atij shërbyes. (K.Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Privilegjet Dhë Imunitetet Diplomatike


[cite]