PRODHIMET ARTISTIKE


PRODHIMET ARTISTIKE
✤ Sende të përdorimit të gjerë dhe për zbukurim, që kanë dhe vlera artistike. Nga lashtësia, nga ilirët dhe nga kultura e hershme shqiptare janë ruajtur sende të tilla që edhe sot shquhen për vlerat artistike dhe që dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë motivesh, zbukurimesh e teknikash të punimit. Në mesjetë këto prodhime përgatiteshin kryesisht nga zejtaria (shih). Janë të përmendura punimi i enëve prej bakri, i argjendit me filigran, i qeramikës, i drurit, i gurit, punimi i shtrojeve, qëndisja, qepja e kostumeve popullore, regjja e punimi i lëkurëve etj.

Pas Çlirimit prodhimi i objekteve artistike u zhvillua në mënyrë të organizuar. Fillimisht me punimin e tyre u morën Koop. e artizanatit (shih), ndërsa në 1966 u ngrit ndërmarrja e parë shtetërore e prodhimeve artistike «Migjeni» (shih) në Tiranë. U shtuan llojet dhe sasia e P. A. mbi bazën e traditës së mjeshtrave popullorë dhe me tipare të artit tonë të realizmit socialist. Ato eksportohen në shumë vende të botës dhe janë paraqitur në panaire të ndryshme ndërkombëtare.

Janë ngritur shumë ndërmarrje në rrethe të ndryshme të vendit për P. A. duke shfrytëzuar lëndët rrethanore dhe mbetjet teknologjike.

P. A. sot të përgatitura me shije të hollë duka përdorur teknika të ndryshme, përfshijnë kryesisht prodhime druri, të gdhendura, të pirografuara, të punuara me rimeso, kashtë etj.; llulla, pipa, vazo, bucela, kuti, pagure etj.; prodhime metalike prej argjendi, bakri e bronzi, të punuara edhe në filigran (enë të shumëllojshme, zbukurime të ndryshme etj.); punime prej leshi (qilima, sixhade, triko, çorape etj.); prodhime tekstile të qëndisura; kostume popullore; punime guri, sidomos alabastri, prodhime qeramike, kocke e briri, si dhe xunkthi e kashte.

(M.St.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Prodhimet Artistike


[cite]