PROGONATI


PROGONATI
✤ Fshat i Kurveleshit në rrethin e Tepelenës (P). Qendër e fshatit të hashkuar që përfshin. edhe fshatrat: Lekdush, Gusmar, Rexhin, Nivicë; popullsia gjithsej 2810 banorë. P. është fshat i lashtë, përmendet që në shek. XV me të njëjtin emër. Në dhjetëvjetëshin 1850-1860, nga ky fshat ka vepruar Çeta atdhetare e Bilbilenjve (shih). Më 1910 në P. u çel klubi patriotik «Arbëria». Këshilli NÇ u ngrit në prill 1942 me iniciativën e Heroit të Popullit Mustafa Matohiti. Më 1 prill 1942 u formua çeta e parë partizane e Kurveleshit (në Gusmar), një ndër çetat e para të vendit. Më 28.11.1942 u krye aksioni kundër nënprefekturës së Gusmarit. Që nga ajo kohë Kurveleshi mbeti zonë e lirë. P. është vendlindja e Heroit të Popullit Asim Zeneli. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1957. Bën pjesë në koop. e bashkuar me të njëjtin emër. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i grurit, i misrit, i patates dhe pemëtaria. P. ka shkollë të mesme zooveterinare, shtëpi kulture, spital, kinema, grupin folklorik. Është ngritur busti i A. Zenelit dhe ruhet shtëpia e tij muze. Në afërsi të P., në Gusmar, është hapur miniera e fosforitit.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Progonati


[cite]