PROTOKOLLI SHQIPTARO—ITALIAN
✤ (2.8.1920) Marrëveshje dypalëshe, e nënshkruar në mbarim të Luftës së Vlorës, në bazë të së cilës Italia njihte pavarësinë e shtetit shqiptar dhe paprekshmërinë e tërësisë territoriale të tij. P. Sh-I përmbante 8 pika. Italia hiqte dorë nga pretendimet e saj për aneksimin e krahinës së Vlorës dhe për vendosjen e shtetit të cunguar shqiptar nën mandantin italian, sikundër ishte parashikuar në Traktatin e fshehtë të Londrës të prillit 1915 dhe sikundër ishte miratuar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) (shih) nga Fuqitë kryesore fituese të Luftës I Botërore (SHBA, Anglia e Franca). Ushtria pushtuese italiane do të tërhiqej nga Vlora dhe nga pjesët e tjera të vendit brenda një muaji, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Në bazë të P. Sh-I problemet e tjera të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe Italisë do të shqyrtoheshin e zgjidheshin në bisedimet e ardhshme midis delegacioneve të të dy vendeve. P. Sh-I ishte një arritje e rëndësishme e qeverisë shqiptare që i mbylli rrugën edhe realizimit të planeve pushtuese të monarkive fqinje.
(M.Ç.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Protokolli Shqiptaro—Italian
[cite]