PULTI
✤ Zonë etnografike në Shqipërinë e Veriut, në JL të rrethit të Shkodrës, në rrjedhjen e sipërme të Kirit deri në fshatin Prekal (në V të Cukalit). Përbëhet prej gëlaerorësh, dolomitesh dhe rreshpesh të mesozoit. Relievi ka tiparet e një grope rrethuar nga kreshtat gëlqerore alpine me iartësi mbi 2000 m (Biga e Gimajve), që zbresin thikë në relievin e butë rreshpor deri në fundin e gropës. Degëzimet e shumta të 1. Kir e kanë copëtuar së tepërmi relievin rrethues. Ka klimë mesdhetare malore me dimër të lagët e të ftohtë e verën të thatë e të nxehtë. Bimësia është e zonës së dushkut e ahut dhe ka kullota alpine. Është e zhvilluar bujqësia dhe blegtoria, shfrytëzohen pyjet. Qendrat kryesore të banimit janë Kiri, Xhani, Plani, Mëgulla, Pogu, Gjuraj-Boksi etj.
Gjatë mesjetës si krahinë historike P. shtrihej në V deri në 1. Cem e në J deri në 1. Fan në malet e Pukës dhe quhei me emrat Pilot, Pulatum etj. Ndahej në dy pjesë (Pulatum major e minor) dhe sundohej nga familje e Spanëve. Në shek. XIV në J të P. u krijua principata e Dukagjinëve dhe në V të tij krahina e Malësisë që shkuan duke u zgjeruar në kurriz të P. deri sa e zhdukën. Si mbeturinë e kësaj principate mesjetare ngeli rrethina e P., banorët e së cilës nuk e njëjtësojnë veten as me dukagjinasit, as me malësorët; ata e quanin veten banorë të hershëm autoktonë të kësaj rrethine. Megjithëse P. ishte i mbyllur nga male të larta, pati infiltrime popullsie, si nga Malësia ashtu dhe nga Dukagjini, që ndikuan në mënyrën e jetës dhe në traditat kulturore. Ndikimi i Dukagjinit qe më i fuqishëm dlie me kohë P. u quajt një ndër 6 bajrakët e Dukagjinit (Dukagjini i Ri).
Jeta ekonomike e kësaj rrethine qe shumë e varfër. Bujqësia ishte e kufizuar në ngastra toke shumë të vogla dhe në një blegtori me tufa të pakta për mungesë kullotash dimërore. Për të përballuar nevojat e jetës, banorët e P. merreshin edhe me pemëtari, kryesisht arra e gështenja dhe me zejtari, kryesisht me nxjerrjen e lëndës së drurit për ndërtim dhe me punimin e enëve të drurit. Me ndryshimet e mëdha ekonomike-shoqërore që janë bërë pas Çlirimit, edhe në këtë rrethinë mënyra e jetesës së banorëve ka pësuar shndërrime të ndjeshme. (Rr. Z.-Gj.G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Pulti