QARKULLIMI I GJAKUT

Sistemi i arterieve dhe i venave formon një rreth të mbyllur, në të cilin gjaku qarkullon në një drejtim të caktuar. Në qendër të këtij sistemi ndodhet zemra, e cila, duke u tkurrur në mënyrë ritmike, e shtyn gjakun në sistemin e arterieve. Vetë arteriet, me anën e indeve muskulore, ndihmojnë që gjaku të shpërndahet në gjithë organizmin, deri te rrjetat kapilare. Nga rrjeta kapilare e arterieve gjaku kalon në rrjetën kapilare të venave, hyn në degëzimet e tyre, në venat e mëdha zgavrore dhe kthehet në zemër. Ky që përshkruam quhet qarkullimi i madh i gjakut. Një pikë gjaku e kryen gjithë qarkullimin e madh në 19-20 sekonda.

Përveç qarkullimit të madh, gjaku kryen edhe një qarkullim të vogël.

Gjaku që kthehet në zemër, në veshin e djathtë, pas një tkurrjeje të zemrës, kalon në barkushen e djathtë dhe prej këtej, nëpërmjet arteries mushkërore, shkon te mushkëritë. Aty pastrohet, lëshon gazin karbonik që përmban, thith oksigjenin dhe me anën e venës mushkërore kthehet përsëri në zemër, në veshin e majtë të saj. Këtë qarkullim. të vogël një pikë gjaku e kryen në 4-5 sekonda. Qarkullimin e madh gjaku e kryen që të shpërndajë. në gjithë organizmin lëndët ushqyese dhe oksigjenin, ndërsa qarkullimin e vogël që të shkarkohet nga gazi karbonik dhe të ngarkohet me oksigjen. Në arteriet e mëdha të trupit gjaku rrjedh me shpejtësi mbi 30 cm në sekondë; shpejtësia e tij ulet shumë në kapilarët. Ndërsa te venat gjaku rrjedh më ngadalë, rreth 10 cm në sekondë.

Po të presim një arterie, do të vëmë re se gjaku do të shpërthejë prej saj si një fontanë, në çdo tkurrje të zemrës, Në këtë rast, për te ndaluar rrjedhjen e gjakut, duhet ta shtypim arterien në një pikë që ndodhet midis prerjes dhe zemrës. Nëse presim një venë, do të vërejmë se gjaku rrjedh prej saj ngadalë. Për të ndaluar rrjedhjen, duhet të shtypim venën më poshtë se prerja, në anën e kundërt të zemrës.

Gjaku që përmbajnë arteriet, është gjak i pastër, i pasur me oksigjen dhe me lëndë ushqyese. Ngjyra e tij është e kuqe e ndezur, kurse gjaku i venave ka një ngjyrë të kuqe të mbyllur, për shkak të gazit karbonik e të papastërtive që përmban. Por ka një arterie, arteria e mushkërive, e cila nuk përmban gjak të pastër, por gjak venoz. Në fakt kjo arterie shpie gjakun e papastër nga zemra te mushkëritë për t’u pastruar nga gazi karbonik. Po ashtu edhe venat mushkërore, që sjellin gjakun nga mushkëritë te zemra, nuk përmbajnë gjak venoz, por gjak të pastër arterior.

Trupi — Ynë

[cite]