QELIZA NERVORE
I gjithë sistemi nervor, si ai qendror dhe ai periferik, është i përbërë nga miliarda qeliza nervore. Qelizat nervore quhen neurone. Neuronet janë qeliza me një ndërtim të veçantë. Nga njëra anë e trupit të tyre dalin disa degëzime, si degët e një peme, që quhen dendride (nga fjala dendron që do të thotë pemë). Nga ana tjetër del vetëm një fije, një degë, që ngandonjëherë është shumë e gjatë e që quhet akson.
Me anën e dendrideve neuronet lidhen me njëri-tjetrin, ndërsa aksonet lidhin qelizat nervore të trurit me receptorët e organeve e të shqisave ose anasjelltas, qelizat nervore të receptorëve me trurin. Dendridet janë ato fije nervore që sjellin informacionin në bërthamën e qelizës nervore; bërthama e kalon këtë informacion tek aksoni, i cili e përcjell, sipas rastit, ose në tru ose në muskujt e ndonjë organi. Qelizat nervore lidhen ndërmjet tyre në mënyrë të tillë që informacioni të kalojë vetëm në një drejtim.