PROTEINAT

Lënda ushqimore bazë e njeriut dhe e gjithë qenieve të gjalla janë proteinat. Ato marrin pjesë në ndërtimin e protoplazmës së qelizave, në ripërtëritjen dhe në zëvendësimin e qelizave dhe të indeve që shkatërrohen etj, Gjithashtu proteinat takohen në gjak, në limfë. Enzimat janë proteina. Burim proteinash për organizmin tonë janë: mishi, peshku, qumështi dhe produktet e tij, veza etj.; në sasi të vogël proteina përmbajnë edhe disa perime (fasulet, bizelet, thjerrëzat etj.) e disa fruta.

Edhe proteinat nuk përvetësohen drejtpërdrejt nga organizmi ynë. Ato më parë zbërthehen në aparatin tretës në pjesët e tyre më të imëta që janë aminoacidet. Aminoacidet thithen në zorrët e holla, kalojnë në rrjedhën e gjakut dhe shkojnë në mëlçinë e zezë. Aty përpunohen përsëri e prej tyre formohen proteinat e reja, për të cilat ka nevojë çdo qelizë e çdo organ i organizmit tonë. Proteinat që i përmbajnë të gjitha llojet e aminoacideve, quhen proteina të plota ose proteina të pazëvendësueshme. Proteina të tilla janë ato me origjinë shtazore, pra ato që përftojmë nga mishi, nga peshku, nga qumështi etj.

Trupi — Ynë

[cite]