QARKULLIMI I PARASË


QARKULLIMI I PARASË
✤ Lëvizje e parasë me cilësinë e mjetit të qarkullimit e të pagesave që ndërmjetëson këmbimin e mallrave të konsumit e të produkteve si dhe kryerjen e shërbimeve me pagesë. Qarkullimi i mallrave mund të kryhet: me para në dorë, kur popullsia blen sende konsumi, paguan shërbimet, qiranë etj,; qarkullimi i produkteve dhe i mallrave ndërmjet ndërmarrjeve shtetërore dhe ndërmjet këtyre të fundit dhe kooperativave bujqësore kryhet sipas planit të furnizimit materialo-teknik pa para në dorë, me kalim në llogari. Q. i P. në vendin tonë drejtohet me plan nga shteti dhe është rreptësisht i centralizuar. Sasia e parasë që nevojitet për qarkullimin e mallrave e kryerjen e shërbimeve planifikohet dhe kontrollohet nga shteti. Shuma e planifikuar e parasë në qarkullim duhet t’u përgjigjet nevojave të zhvillimit pa ndërprerje të ekonomisë dhe, si rregull, ajo nuk duhet të rritet me ritme më të larta sesa rritet xhiroja e tregtisë me pakicë dhe e shërbimeve me para në dorë. Zbatimi i një politike të drejtë në fushën e ekonomisë, në përgjithësi, e të parasë në veçanti, ka bërë që në RPS të Shqipërisë të mos ketë inflacion.

(S. Hi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qarkullimi I Parasë


[cite]