Qeliza
Qelizën mund ta përfytyrojmë. si një pikëz shumë të vogël uji të mbështjellë me një cipëz të imët që quhet membranë. Qelizat nuk janë të njëllojta, ato ndryshojnë nga njëra-tjetra sipas madhësisë, formës e funksionit që kryejnë. Në përgjithësi qelizat janë shumë-shumë të vogla ose siç thuhet, kanë madhësi mikroskopike që do të thotë se mund të shihen vetëm me mikroskop. Madhësia e qelizave të trupit të njeriut, është nga 4 mikronë deri në 100 mikronë (1 mikron =. 1 e mijta pjesë e milimetrit). Edhe forma e qelizave është e ndryshme. Ato mund të kenë forma të rrumbullakëta. cilindrike, shumëfaqëshe, mund të kenë formë të zgjatur ose edhe të rrafshët. Qelizat e njëllojta zakonisht bashkohen ndërmjet tyre me anën e disa zgjatimeve, duke formuar rrjeta qelizore, inde, pjesë organesh e organe të tëra.
Qelizat kryejnë funksione të ndryshme. Kështu, p.sh., qelizat e gjëndrave të djersës prodhojnë një lëng të posaçëm, djersën, të cilën nuk mund ta prodhojë asnjë lloj qelize tjetër; qelizat muskulore janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të mund të tkurren dhe të shtrihen, duke lejuar në këtë mënyrë lëvizjet e ndryshme të trupit të njeriut; qelizat nervore kanë aftësinë të transmetojnë në tru dhe në palcën kurrizore ngacmimet e ndryshme etj. Edhe pse e vogël, qeliza është një botë e gjallë më vete: ajo ushqehet, riprodhohet dhe kryen funksione të ndryshme. Çdo qelizë është e përbërë nga tri pjesë kryesore: nga membrana, protoplazma dhe bërthama. Membrana, mbulesa e qelizës, luan një rol me rëndësi në jetën e saj. Kjo ka aftësinë të rregullojë hyrjen dhe daljen e lëndëve të ndryshme, në përputhje me nevojat jetësore të qelizës: disa lëndë që i nevojiten qelizës, i lejon të kalojnë, ndërsa disa të tjera jo. Protoplazma është një lëndë e lëngshme që mbush tërë qelizën. Në të janë vendosur organoidet e qelizës, që janë mekanizma që rregullojnë gjithë veprimtarinë e saj. Ndër organoidet e qelizës mund të përmendim; ribozomet, që kanë formën e kokrrizave të vogla e që studiuesit i kanë quajtur «fabrika» të prodhimit të proteinave e të enzimave; mitokondret, që kanë formën e fijëzave dhe që rregullojnë shkëmbimin e lëndëve me mjedisin; lizosomet që janë quajtur edhe «aparati tretës» i qelizës etj. Bërthama zakonisht ndodhet në mesin e qelizës, rrethohet prej citoplazmës dhe ndahet prej saj nga një membranë e posaçme.