RËRAT BITUMINOZE


RËRAT BITUMINOZE
✤ Shkëmbinj sedimentarë ranorë të mbushur me bitum të shpërndarë ose në trajtë ndërfutjesh, me ngjyrë kafe të errët deri në të zezë, sipas përmbajtjes së bitumit. Janë formuar kryesisht si pasojë e tjetërimit të shtratimeve të naftës. Bitumi në R. B. ndodhet kryesisht i lirë dhe veçohet nga shkëmbi gjatë përpunimit të tij me tretësa organikë. Përmbajtja e bitumit në R. B. është 8-12% dhe më rrallë deri 25% të vëllimit.

Në Shqipëri ka shumë R. B., si R. B. të miocenit (tortonianit) në Patos, Q. Stalin, Treblovë, Pekisht, Makaresh, Greshicë etj., R. B. të oligocenit në Zhapokikë (Berat), Osmanzezë (Berat) etj. Ka filluar nxjerrja e bitumit nga R. B. me anë të shkumëzimit në impiantin përkatës të ngritur me forcat tona pranë Patosit. Në të ardhmen shfrytëzimi dhe përdorimi kompleks i R. B. do të lejojë të nxirren sasi të mëdha bitumi.

(F. Di.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rërat Bituminoze


[cite]