RAGUZA
✤ (Dubrovnik). Qytet i bregdetit dalmat me origjinë mesjetare (shek. VII), bazë detare me rëndësi e Bizantit deri në fund të shek. XII, republikë aristokratike tregtare, nga fundi i shek. XlV-fillimi i shek. XVI nën sovranitetin e Hungarisë. Pavarësia e R. mbaroi me pushtimin francez në fillim të shek. XIX e kalimin e saj nën sundimin austriak. Ka luajtur rol të rëndësishëm ekonomik në sajë të lidhjeve të ngushta tregtare me vendet ballkanike e mesdhetare.
Lidhjet tregtare të R. me Shqipërinë dokumentohen së paku që nga fillimi i shek. XIII, kur lidhi marrëveshje tregtare me principatën ë Arbërisë (shih), me anën e së cilës Dhimitri (shih) sundimtar i saj, u jepte garanci tregtarëve raguzanë për të tregtuar lirisht «qoftë për tokë, qoftë për det» brenaa kufijve të principatës. Marrëveshje të tilla tregtare R. siguroi më pas edhe me Balshajt, Topiajt, Kastriotët (shih) dhe sundimtarë të tjerë shqiptarë.
Konsuj, kolonë dhe tregtarë raguzanë ndeshen që nga fillimi i shek. XIII në tregjet dhe qytetet e bregdetit shqiptar, si edhe në qendrat xeherore të Kosovës, në Prizren (1332), Prishtinë (1339), Novobërdo (1370), etj. Pashalimani i mëvonshëm në gjirin e Vlorës mbante për një kohë emrin «Liman i Raguzanëve». Lidhje më të ngushta politike R. mbajti me Balshajt dhe Kastriotët, sidomos me Gj. Kastriotin — Skënderbeun. Konsujt raguzanë në Shkodër dhe Durrës kanë qëndruar deri në fundin e republikës.
Duke filluar nga shek. XIII në R. zunë vend dora-dorës mjaft shqiptarë, kryesisht klerikë, artizanë të profileve të ndryshme, piktorë, artistë etj. të mërguar nga Shqipëria.
(L. M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Raguza