RAKITI
✤ (Rachitis, Morbus anglicus). Sëmundje që shkaktohet nga mungesa e vitaminës D dhe që prek fëmijët gjatë viteve të para të jetës. Dëmton e dobëson gjithë organizmin, por shfaqjet më të dukshme i jep në kockat e muskujt.
Vitamina D përftohet në organizmin e njeriut kur lëkura rrezatohet nga dielli, gjendet në sasi të pakët në ushqimet e zakonshme që merr fëmija. Gjendet në sasi të mëdha në vajin e mëlçisë të disa peshqve (vaji i peshkut) e në sasi të kufizuar në të verdhën e vezës.
Shenjat e R. janë shqetësimi dhe grindja e fëmijës, buti (fontanela) i kokës është i gjerë, dhe nuk mbyllet në kohë, ka formim të keq të skeletit të gjoksit, dalje të disa nyjave në pjesët anësore të brinjëve, përkulje të çrregullta të shtyllës kurrizore, ecja është e vonuar, vërehen përkulje të kockave të anësive të poshtme. Fëmija ka djersitje të theksuar, bark të madh, dobësi të muskujve, qëndresë të ulët. Sëmundja e R. vështirëson formimin e vendosjen e kriprave të kalciumit e fosforit në kockat gjatë zhvillimit të shpejtë të tyre sidomos në moshën foshnjore e fëminore.
Ushqimi i përshtatshëm, ajrimi e rrezitja e fëmijës dhe veshja sipas stinës ndihmojnë shumë në parandalimin e R. Mbrojtje të mirë bën dhe dhënia e përditshme e rreth 1250 njësive vitaminë D (dy pika të tretjes vajore të saj). Në raste më të rralla është e nevojshme dhënia me injeksion e dozave të mëdha të vitaminës D (300.000 njësi) çdo 3-6 muaj. Kur fëmija rrezatohet gjerësisht nga dielli (sidomos gjatë verës) nuk ka nevojë për vitaminë D. Kjo vitaminë shoqërohet edhe me kripëra të kalciumit.
Për parandalimin e R. i jepen vitaminë D bashkë me kripra të kalciumit gruas shtatzënë gjatë muajve të fundit të shtatzënisë.
R. në të kaluarën ka qenë shumë i përhapur në Shqipëri. Masat e marra pas Çlirimit, e kanë pakësuar shumë shpeshtësinë e R.
(Se. B.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rakiti