RAMA SADIK
✤ (1872-1943) Veprimtar dhe udhëheqës i luftës për çlirim e bashkim kombëtar dhe për një regjim demokratik në Shqipëri. Ka lindur në fshatin Gjyrgjevik të Rahovecit. Mori pjesë në lëvizjet popullore dhe kryengritjet antiosmane të viteve 1909-1910 në Kosovë. Ishte një nga udhëheqësit e Kryengritjes së 1912-ës. Bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Azem Galicës në luftën e shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera kundër pushtuesve serbo-malazezë e jugosllavë. Kundërshtoi politikën serbomadhe të shkombëtarizimit. Në vitet 1919-1923 drejtoi çetat kryengritëse të zonës së Rahovecit dhe në tërë Kosovën. I ngarkuar nga Komiteti «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» (shih), në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit kundër sunduesve serbomëdhenj. Gjatë v. 1921 luftoi për shpartallimin e lëvizjes antikombëtare të Markagjonit në Mirditë, kurse më 1921-1923 luftoi për mbrojtjen e «Zonës Neutrale» të Junikut, bazës së forcave kryengritëse çlirimtare e demokratike të Kosovës e të Malësisë së Gjakovës. Në shkurt 1923 u vendos në Shqipëri, në rrethin e Durrësit, vdiq në Rahovë të Kosovës.
(M. V.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rama Sadik
[cite]