RRAHJET E ZEMRËS

Po të vendosim faqet e gishtërinjve në pulsin e dorës, poshtë gishtit të madh, mund të arrijmë të gjejmë vendin e saktë për të ndier një rrahje ritmike. Këto rrahje i përngjasin rrahjeve ose tkurrjeve të zemrës dhe shoqërohen me kalimin e gjakut në një arterie, në këtë rast në një arterie të dorës. Rrahja e zemrës përbëhet nga tri faza. që janë: 1) tkurrja e barkusheve, që quhet sistola; 2) lëshimi i barkusheve, që quhet diastola; 3) pauza, që është periudha e qetësisë për të dyja pjesët e zemrës. Faza e qetësisë është më e shkurtër se dy të tjerat, se sistola dhe diastola, dhe, kur zemra punon me ngut, ajo zvogëlohet edhe më tepër.

Ritmi i rrahjeve të zemrës nuk është i njëjtë, ai ndryshon sipas moshës, sipas natyrës së njeriut dhe sipas veprimtarisë që ai kryen. Kështu, p.sh., zemra e një fëmije të porsalindur i rreh 140 herë në një minutë; ajo e një fëmije 3 vjeç rreh afërsisht 100 herë në minutë; gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, ritmi i rrahjeve të zemrës vjen duke u ulur, derisa arrin një mesatare me rreth 70 rrahje në minutë. Por zakonisht rrahjet e zemrës nga një njeri te një tjetër ndryshojnë nga 60 deri në 90 rrahje në minutë.

Kur kryejmë ndonjë punë të rëndë fizike ose kur ngjitemi në ndonjë të përpjetë, rrahjet e zemrës shpejtohen. Kjo ndodh sepse organizmi ka nevojë për më tepër oksigjen dhe lëndë ushqyese, sesa kur ishte në qetësi ose kur kryen një pimë normale. Zemra në këtë rast punon më shpejt për të shpejtuar qarkullimin e gjakut e për të plotësuar nevojat e organizmit. Ritmi i rrahjeve të zemrës kontrollohet nga dy nerva: njeri është nervi shpejtues dhe tjetri nervi ngadalësues. Këta dy nerva rregullojnë e kontrollojnë në mënyrë automatike ritmin e rrahjeve të zemrës, në përputhje me nevojat e organizmit. Rrahjet e zemrës nuk mund t’i ndryshojmë sipas dëshirës sonë.

Trupi — Ynë

[cite]