SËMUNDJET PROFESIONALE


SËMUNDJET PROFESIONALE
✤ Sëmundje që shkaktohen nga ushtrimi i një profesioni, si rrjedhojë e kushteve të punës, lëndëve që përdoren e faktorëve të tjerë të dëmshëm etj. Studimi, njohja dhe organizimi i masave për parandalimin dhe trajtimin e tyre filluan vetëm pas Çlirimit, kur mbrojtja e shëndetit të popullit u bë një çështje shtetërore dhe shëndetësia mori karakter profilaktik. Ligji «Mbi Sigurimet Shoqërore Shtetërore» dhe «Kodi i punës» përcaktuan kushtet për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve. U hartua lista e S. P. dhe një sërë dekretligje, vendime e udhëzime kanë përcaktuar masat parandaluese dhe trajtimin e S. P., të shoqëruara me përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës, mekanizimin dhe automatizimin e proceseve të ndryshme etj. Drejtimi kryesor i punës së organeve shëndetësore është zbulimi i hershëm dhe dispanserizimi i këtyre sëmundjeve. Kujdes të veçantë i kushtojnë kësaj çështjeje organizatat e masave. Pranë Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë funksionon ^ektori i higjienës së punës dhe i S. P., ndërsa për trajtimin e tyre pranë Spitalit Klinik Nr. 1 është ngritur klinika e S. P. Nëpër rrethe janë ngritur sektorët e higjienës së punës pranë Drejtorive të Higjienës e Epidemiologjisë dhe kabinetet e S. P. dhe funksionojnë laboratorët toksikologjikë e të higjienës së punës të pajisur me aparatura të nevojshme.

Me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, sipas nevojës dhe kushteve, nëpër ndërmarrjet dhe koop. është ngritur një numër i mjaftueshëm qendrash shëndetësore që vëzhgojnë nga afër gjendjen shëndetësore të punonjësve, kushtet e punës, zbulojnë dhe dispanserizojnë sëmundjet, në veçanti ato profesionale. Në Shqipëri silikoza, saturnizmi dhe dermatozat profesionale kanë pasur një peshë specifike të lartë në S. P. Por përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi e veçanërisht zbatimi i masave profilaktike e kanë ulur numrin e të sëmurëve me silikozë dhe të atyre me dermatoza profesionale.

(RHa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sëmundjet Profesionale


[cite]