SËMUNDJET MENDORE


SËMUNDJET MENDORE
✤ (PSIKIKE). Sëmundje që dëmtojnë veprimtarinë më të lartë nervore të njeriut dhe që shfaqen me çrregullime të proceseve intelektuale, emocionale, të vullnetit e të vetëdijes. Në kushtet e vështira ekonomikoshoqërore dhe të mungesës së mjekimit para Çlirimit S. M. kishin ecuri të rëndë. Për natyrën e tyre mbisundonin paragjykimet, të cilat u linin fushë veprimi sharlatanëve dhe klerikëve. Të sëmurët mbaheshin në institucionet fetare si ai i Ardenicës, i Zvërnecit e Pepelit, në kushte të rënda higjienike dhe ushqimore. Për herë të parë në shtator 1921 në Vlorë, me interesimin e mjekut Sezai Çomo (shih) u hap një qendër e vogël me 6 shtretër. Ndihma e parë mjekësore e specializuar filloi nga v. 1928 me piretoterapi (me temperaturë të lartë), më pas u përdor shoku nga kardiazoli dhe insulina.

Pas Çlirimit u organizua shërbimi mjekësor i specializuar për të sëmurët mendorë në të gjitha rrethet. U ngritën spitale psikiatrike në Tiranë (1948), Durrës (1948), Elbasan (1963), Shkodër (1983) dhe u zgjerua ai i Vlorës. U hapën institucione për fëmijët me të meta mendore dhe u organizuan shërbime të veçanta për psikiatrinë ligjore dhe atë të fëmijëve. Ka filluar shërbimi dispanserik i të sëmurëve.

Me ngritjen e katedrës së neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe klinikës së psikiatrisë (1956) u zgjerua veprimtaria kërkimore-shkeneore për diagnostikimin dhe mjekimin e psikozave (skizofrenisë, ‘depresioneve endogjene, psikozës maniakale) dhe të neurozave. Krahas mjekimit me shok elektrik, insulinik dhe me gjumë, vend të rëndësishëm zunë preparatet psikotrope (neuroleptikët, antidepresivët, karbonati i litiumit, anksiolitikët), përdoren gjithashtu edhe ergoterapia, psikoterapia etj. Në luftë kundër S. M. kanë dhënë ndihmesë Sezai Çomo, Mit Vokopola, Xhavit Gjata, Ylvi Vehbiu etj.

(Y. Ve.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sëmundjet Mendore


[cite]