SALLMONAJ
✤ Fshat në rrethin e Durrësit (L), gjatë rrugës Durrës-Tiranë. Pranë fshatit është gjetur një gur anësor i rrugës Dyrrah-Lisus, me shifrën VIII, që tregonte largësinë në milie nga Durrësi. S. njihet si fshat që në shek. XVIII. Banorë të tij kanë marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës më 1912-1913, në kryengritjen fshatare të Shqipërisë së Mesme dhe në Luftën ANÇ.
Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1957, që më 1969 S. bën pjesë në KTL të Shijakut. Ka drejtim kryesor prodhimin e grurit, misrit, pambukut e perimeve. Më 1983 morën mbi 45 kv/ha grurë. Është ngritur një kompleks blegtoral modern për rritjen dhe mbarështimin e gjedhit. Në S. është qendra e SMT të Durrësit, nga më të parat në vend (1947). Pranë fshatit është ura mbi lumin Erzen, që gjatë Luftës ANÇ e hodhën në erë nazistët. Është vepra e parë e rindërtuar pas Çlirimit dhe u përurua më 15.2.1945 nga sh. Enver Hoxha. S. ka shkollë 8-vjeçare, vatër kulture, qendër shëndetësore, njësi tregtare .dhe shërbimesh komunale.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Sallmonaj