SELENICA DAVID


SELENICA DAVID
✤ (shek. XVIII). Piktor ikonograf. Më 1715 ka pikturuar afreske në Kishën e Virgjëreshës Kukuzelica (Manastiri i Laurës së Madhe, Mali Athos, Greqi). Tematika e tyre shumë e gjerë përfshin edhe skena nga Apokalipsi. Në to motivet e valleve të vashave janë të hershme, të pikturuara me ngjyra të bukura dhe me veshje të kohës. Më 1726 së bashku me dy ndihmës (Kostandin e Kristo) ka pikturuar me afreske naosin e kishës së Shën Kollit (Voskopojës). Afresket shquajnë për frymëmarrjen e monumen D. Selenicasi, Afresk në kishën e Voskopojës talitetin e tyre, përfshijnë më se 1000 figura, ndërmjet të cilave ka tipa jetësorë si edhe me veshje të kohës. Portreti i piktorit të kësaj kishe Haxhi Jorgji, një laik tregtar, dallon për vërtetësinë e përfytyrimit dhe karakterizimin e njeriut. Më 1727 D. S. ka pikturuar në Kishën e Shën Prodhromit të Apozarisë (afër Kosturit, Greqi). Atij i atribuohen edhe disa ikona nga kishat e Voskopojës.

D. S. përfaqëson në shek. XVIII shkëlqimin e fundit të pikturës pasbizantine të Shqipërisë e të Ballkanit. Duke ndjekur në përmbajtjen ikonografike traditën paleologe, ai futi elemente etnografike kombëtare, ndërsa në formë ka ndikime të barokut perëndimor dhe prirje realiste.

Ikona të D. S. ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar (Korçë) dhe në Muzeun Historik Kombëtar (Tiranë).

(H. N.-A. Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Selenica David


[cite]