Shën Gjon Gojarti

Shën Gjon Gojarti Shën Gjon Gojarti:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Forma shqipe e emrit të shenjtit Joan Chrysostomos, një prej reformatorëve më të mëdhenj të historisë së krishtërimit, kryepeshkop / kryeipeshkv/ i Kostantinopojës, për një kohë i dëbuar nga kisha dhe “i internuem në Epir” (Valentini). Vdiq më 407. Mbiemri “Gojarti” është një kalkim i kompozitës greqisht “Chrysostomos”. Dita e emrit e këtij shenjtori, sipas kalendarit gregorian, është 13.shtatori. Por, sipas ritualit të kishës lindore, Beratinus-1 u paraqitej besimtarëve në një festë panegjirike më 27 janar, në përkujtim të emrit të Shën Gjon Gojartit. Një kishë apo dhe kishëz që ruan relikte të jashtëzakonëshme të shenjtësh si rregull i mbledh besimtarët në një ditë të caktuar vetëm për nderim të relikteve të shenjta (jo të emrit). Në kishën e Lindjes shën Gjon Gojarti vlerësohet ndër etërit që kanë fituar admirimin e shekujve, njësoj si shën Agustini për kishën e Perëndimit. Lindi në Antiokë, midis viteve 349-354, në një familje në gjendje të mirë. Mori mësime filozofie dhe retorike. Më pas i braktisi këto studime, për t’ju dhënë mësimit të krishterë, meditimit dhe jetës asketike. Fitoi vlerësimin e peshkopit të Antiokës, i cili e zgjedh më 372 midis njerëzve më të afërt, duke e shuguruar një vit më pas. Por Gojarti e braktis shpejt qytetin, duke iu kushtuar një jete të vetmuar dhe me privacione. Më 381 rikthehet në Antiokë dhe në fund të vitit 397 i dedikohet predikimit, ku merr titull të lartë midis oratorëve të shenjtë. Pas vdekjes së patriarkut të Kostandinopojës Metario më 397, shën Gjon Gojarit u zgjodh në vendin e tij. Por, kur pushteti perandorak ra në duart e perandoreshës Eudossia, mbështetësit e tij humbën çdo ndikim, si pasojë e sinodit “della Quercia” (“i lisit”), i thirrur nga patriarku i Aleksandrisë Theofilo. Chrysostomos u hoq nga detyra. Më 403, në të njëjtin vit, ai u rithirr të merrte detyrën ipeshkvnore. Por ky qe vetëm një kurth. Më 404, natën e Pashkëve, gjatë ceremonisë së pagëzimit, turma hyri në kishë dhe e profanoi. Pesë ditë pas festës së pentikostisë, Chrysostomos dënohet me internim në Armeni (Valentini-Frashëri:në Epir). Duke parashikuar fundin e tij, Joani kërkoi një veshje të bardhë, bëri një mbledhje, u lut për persekutorët, dhe përsëriti për herë të fundit lutjen që qe moto për tërë jetën e tij:“Lavdia e Zotit në çdo gjë”. Vdiq më 14 shtator 407. Rrobat e tij u sollën në Kostandinopojë me një procesion solemn më 27 janar 438, dhe u vendosën në kishën e Apostujve. Perandori Teodosi II, djali i Eudossia-s, priu në krye të kortezhit, duke kërkuar falje për prindërit e tij, që e kishin persekutuar shenjtorin. Chrysostomos është krahasuar me Pagëzorin dhe profet Elian. Ai bëri të rishkëlqejnë në botë mësimet e Krishtit. Prandaj njihet si një nga kolonat mbi të cilat mbështetet kisha. Quhet figurativisht:“honi i urtësisë, kupa e artë nga ku derdhet doktrina e ëmbël dhe e mjaltë”. Imazhet më antike të portretit të tij gjenden në Santa Maria Antiqua, dhe mund të jenë të shekullit të 6-të ose të 7-të. Shpesh paraqitet ndërsa predikon, dhe në këtë rast ka në sfond apostullin Pal, që e frymëzon. Për herë të parë u konsakrua “festa e tre doktorëve” (Vasili i Madh, Gregori dhe Chrysostomos) në shekullin e 11-të, nga perandori Aleks II Komneni (1081-1118). Papa Klementi XI e mbante përkrah shtatoren e shën Gjon Gojartit. Çmohet si një prej reformatorëve më të mëdhenj të krishtërimit (G. Muka, “Ex-Beratinus”).

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]