SHIRGJI
✤ Fshat, abaci dhe skelë mesjetare në bregun e majtë të 1. Bunë, në afërsi të Obotit. Abacia e Sh. ishte një ndër manastiret mesjetare më të rëndësishme e me potencial ekonomik më të madh. Përmendet qysh në fillim të shek. XII; ia detyronte rëndësinë në radhë të parë skelës, ku qëndronin anijet që vinin nga deti, pa mundur që të futeshin në liqenin e Shkodrës. Në Sh. zhvillohej një tregti shumë e gjallë, para së gjithash me kripë, drithëra etj., aty kishte depozita për magazinimin e mallrave. Taksat e ankorimit, të tregut e të doganës i sillnin abacisë të ardhura të mëdha. Përveç asaj, kjo kishte zotërimin feudal mbi një varg fshatrash në Bregun e Bunës dhe ishte çliruar me privilegj nga detyrimet ndaj kryezotit. Më 1396 Sh. kaloi nga zotërimi i Balshajve, bashkë me Shkodrën, nën zotërimin e Venedikut. Më 1417 fshati i Sh. kishte 98 shtëpi dhe disa taverna. Skela kishte një funksion ekonomik deri në shek. XVIII. Sh. e ka marrë emrin nga kisha e Shën Sergjit e Bakut, një nga ndërtimet më të rëndësishme të stilit romanik në Shqipëri, gërmadhat e së cilës shihen ende sot dhe bien në sy për përmasat dhe për elementet arkitektonike dhe dekorative. Dy mbishkrime latinisht dëshmojnë për rindërtimin e saj dhe të një kishe të dytë, në fund të shek. XIII me kujdesin e abatitPjetër Dohna, në kohën e zotërimit të Helenës nga Franca, sunduese e Zetës. Ka qenë një bazilikë me tri anijata. Si stil i përket arkitekturës romanike-gotike të shkollës së bregdetit dalmatin dhe të Shqipërisë së V.
(P.Me.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shirgji
[cite]