SHKËMBINJTË MAGMATIKË
✤ Shkëmbinj të formuar nga ftohja e kristalizimi i magmës. Kur magma kristalizohet në thellësi të madhe, në trysni e temp. të lartë, ftohet ngadalë dhe formohen Sh. M. intruzivë, plotësisht kristalorë e me kristale të zhvilluara mirë, që përbëjnë trupa e masivë gjeologjikë të mëdhenj. Kur kristalizohet në thellësi të vogël, formohen trupa të vegjël Sh. M. hipabisalë dhe dellorë, plotësisht kristalorë por me kristale të vogla. Kur kristalizohet në sipërfaqen e kores së Tokës (edhe në fundin e oqeaneve), nga derdhjet e lavës së vullkaneve, që ftohet menjëherë, formohen Sh. M. efuzivë ose vullkanikë, jo plotësisht kristalorë. Sipas përmbajtjes së oksidit të siliciumit, dallohen Sh. M. ultrabazikë (më pak se 45% Si02), bazikë (45-52% Si02), mesatarë (52-65% Si02), acidë (më tepër se 65% Si02), që kanë secili lloje përkatëse Sh. M.: intruzivë, hipabisalë, dellorë dhe efuzivë. Në Shqipëri Sh. M. të llojeve të ndryshme janë të përhapur shumë në Albanidet e brendshme, sidomos në zonën e Mirditës, ku përbëjnë edhe ofiolitet (shih). Ndër më kryesorët e më të përhapurit e Sh. M. të vendit janë shkëmbinjtë ultrabazikë (shih), që përbëjnë skeletin gjeologjik të Albanideve të brendshme. Të përhapur janë edhe shkëmbinjtë bazikë (shih). Më pak të përhapur janë shkëmbinjtë mesatarë e ata acidë. Në llojet e ndryshme të Sh. M. të vendit gjenden vendburime e shfaqje të shumta mineralesh të dobishme, sidomos xeherorë të kromit, të hekur-nikelit, të nikelit, të bakrit, xeherorë polimetalorë, xeherorë titani, asbest, magnezit, qelq vullkanik, kaolin, talk etj.
(Dh.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shkëmbinjtë Magmatikë
[cite]