SHKËMBINJTË METAMORFIKË


SHKËMBINJTË METAMORFIKË
✤ Shkëmbinj të formuar nga shndërrimet e shkëmbinjve parësorë magmatikë dhe sedimentarë në gjendje të ngurtë, nën veprimin e mëtamorfizmit (shih). Sh. M. janë mjaft të përhapur në koren e Tokës, sidomos në vijimësitë shkëmbore parakembriane. Llojet më të përhapura të Sh. M. janë rreshpet e gjelbra, amfibolitet, gnajset, gurbriorët, mermeret, kuarcitet etj. Në Sh. M. gjenden një sërë vendburimesh të mineraleve të dobishme, e në disa raste vetë Sh. M. janë lëndë e parë e rëndësishme si p.sh. mermeri, kuarcitet, kuarcitet hekurore, grafiti, etj.

Në Shqipëri Sh. M. janë pak të përhapur. Në Zonën e Mirditës, në masivët e shkëmbinjve ultrabazikë ka serpentinite dhe rreth disa masiveve të tillë, si në Tropojë, Lurë, Pukë etj, ka amfibolite, rreshpe amfibolitike dhe rreshpe kuarcore-mikore-granatore, ndërsa pranë Dervenit (Rrëshen) ka eklogite. Në Zonën e Korabit ka mermer dhe kuarcite. Rreth vendburimeve të xeherorëve sulfurë, me prejardhje vullkanike sidomos të bakrit, në Albanidet e brendshme, ka shkëmbinj metasomatikë hidrotermalë.

(M.Sha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shkëmbinjtë Metamorfikë


[cite]