SHKËMBINJTË ULTRABAZIKË
✤ Shkëmbinj magmatikë, me përmbajtje të pakët oksidi të siliciumit (më pak se 45% Si02) dhe mjaft të madhe oksidi të magneziumit (deri 50% MgO). Kanë strukturë kokrrizore dhe përbëhen kryesisht nga mineraie me ngjyrë (olivinë, piroksen) dhe më pak nga kromshpinelide e magnetit dytësor etj. Në këta shkëmbinj përfshihen lloje të ndryshme si duniti, harcburgiti, lercoliti, verliti, serpentiniti etj. Në Shqipëri Sh. U. intruzivë janë mjaft të përhapur në Zonën e Mirditës dhe zënë një sipërfaqe mbi 3000 km2. Gjenden në trajtë masivesh me përmasa e forma të ndryshme, që formojnë dy breza, lindorin e perëndimorin, me gjatësi rreth 250 km. Në brezin lindor përfshihen masivet e Kukësit, Lurës, Bulqizës, Shebenikut-Pogradecit, ndërsa në atë perëndimor masivet e Krabit, Pukës, Gomsiqes, Rrëshenit, Maleve të Skënderbeut, Mirakës, Shpatit, Vallamarës, Gramshit, Voskopojës, Kolonjës. Të dy brezat bashkohen në V në masivin e Tropojës dhe në J me atë të Moravës.
Në Sh. U. gjenden disa nga mineralet e dobishme më të rëndësishme të vendit si xeherorët e kromit, xeherorët e hekur-nikelit, asbesti, magneziti ‘etj.
(S.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shkëmbinjtë Ultrabazikë
[cite]