SHKOLLA SHQIPE E VASHAVE NË KORÇË


SHKOLLA SHQIPE E VASHAVE NË KORÇË
✤ Një nga institucionet e para të arsimit fillor shqiptar, themeluar në Korçë më 23.10.1891, duke vënë në jetë programin arsimor të Rilindjes Kombëtare (shih). Shkolla u ngrit me luftë kundër Patriksnës së Stambollit, autoriteteve osmane të pushtimit dhe obskurantizmit fetar. Ajo u drejtua dhe u administrua nga veprimtarë si Gjerasim e Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, Helidhona Falli, Parashqevi Qiriazi etj. Në planin mësimor ië shkollës përfshiheshin 18 lëndë (shoqërore, shkencore e artistike) midis të cilave mësimi i lexim-shkrimit shqip, gramatika shqipe, historia e Shqipërisë etj. Më 1900-1901, me hapjen e konviktlt për vajza pranë saj, u krijuan kushte për ta ndjekur edhe vajza të krahinave të tjera. Shkolla shërbeu si vatër e rëndësishme për edukimin e ndjenjës kombëtare te vajzat, për ngritjen e nivelit të gruas dhe rolit të saj edukues dhe u dha arsim shumë kuadrove arsimore femra që më vonë u vunë në shërbim të arsimit kombëtar.

(Sh.O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shkolla Shqipe E Vashave Në Korçë


[cite]