SHKOZA
✤ (Carpinus L.). Bimë drunore e familjes së mështeknave (Betulaceae) që në Shqipëri paraqitet me 2 lloje. Sh. e bardhë (Carpinus betulus L). është dru i lartë deri 20 m me trung të drejtë me çarje brazdore, me lëvore të lëmuar, të përhime, me njolla të bardha, pa kore, të ngjashme me atë të ahut, me kurorë të parregullt, me gjethe të rënshme -të këmbyera, 5-10 cm, të gjata, si të zhubrosura, të shogta, përposh me qime të rralla, melulenjëseksore monoike. Lulëzon në prill-maj, bën fryt një aken të mbështjellë nga një brakte me tre vriguj, piqet në shtator-tetor. Farat përmbajnë deri 12% yndyrë. Rritet gati gjithkund nëpër pyje e shkorrete deri në 1800 m. Druja është e bardhë, e rëndë e fortë. Do toka të pasura e të shkrifëta, duron ngricat dhe hijëzimin. Sh. e zezë (Carpinus orientalis Mill.) rritet kudo dhe me shumicë, duke marrë pjesë në formimin e shumë pyjeve gjethore. Shkurre ose dru i vogël 6-8 m i lartë, me bisqe të holla, me lule të vendosura në gathë 3-6 cm të gjatë që çelin nga marsi deri në maj, bën fryt një aken të mbështjellë nga 3 vriguj më të vegjël se ata të Sh. së bardhë. Përhapet në ato zona ku gjendet Sh. e bardhë. Rritet në vende të thata dhe në çdo lloj toke. Druri i saj përdoret për diegje, gjethet e rëna përmirësojnë tokën.
(Ll.T.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shkoza
[cite]