SHOQËRI E TË SHTYPURIT SHKRONJA SHQIP


SHOQËRI E TË SHTYPURIT SHKRONJA SHQIP
✤ Shoqëri patriotike kulturore arsimore e themeluar në Stamboll më 12.10.1879 me iniciativën e «Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare». Në krye të saj u zgjodh Sami Frashëri. Këshilli qendror përbëhej nga Ahdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Zija Prishtina, Hasan Tahsini etj. Ajo njihet edhe me emrat «Shoqëri e Stambollit» dhe «Shoqëri e shkronjëzave».

Platforma e Shoqërisë u përcaktua në statutin themeltar (Kanonizmën), të cilin e nënshkruan 28 përfaqësues të shtresave e besimeve të ndryshme nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi kryesor i saj siç pohonte kryetari i saj, ishte: «të mësuarit e të ndrituarit të kombit tënë», «të ngjallurit e gjuhës shqip e të bashkuarit e dialekteve të saj». Ajo shtronte para vetes detyra me karakter kombëtar si lëvrimin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës letrare, zhvillimin e letërsisë kombëtare, çeljen e shkollave shqipe, ngritjen e një shtypshkronje, botimin e librave (kryesisht ië teksteve shkollore) e të një organi periodik, luftën kundër prapamhetjes etj. Këto detyra ishin pjesë e platformës politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (shih) për të zhvilluar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, për bashkimin në luftën çlirimtare. Krijimi i Shoqërisë ishte një hop në lëvizjen kulturore kombëtare. Nga përpjekjet e veçuara u kalua në një ndërmarrje më të madhe, më të organizuar dhe më të ndërgjegjshme, të udhëhequr nga një platformë e qartë me një qendër mbarëshqiptare dhe që plotësonte veprimtarinë politike të nisur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Për realizimin e platformës së saj Shoqëria themeloi degë sidomos në kolonitë shqiptare, miratoi alfabetin e përhashkët të gjuhës shqipe të paraqitur nga Sami Frashëri e që quhet edhe «Alfabeti i Stambollit», botoi «Alfabetaren e gjuhës shqip» etj. Në veprimtarinë e saj Shoqëria ndeshi kundërshtimin e ashpër të politikës së Portës se Lartë dhe qëndrimin antishqiptar të Patrikanës së Stambollit.

(Sh.O)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shoqëri E Të Shtypurit Shkronja Shqip


[cite]