SHOQËRIA PUNA E KORÇËS


SHOQËRIA PUNA E KORÇËS
✤ (1933-1937). Organizatë profesionale e themeluar më 24 shtator me nismën e grupit komunist të Korçës. Qëllimi i saj, sipas statutit të vet legal, ishte mbrojtja dhe ndihma morale e materiale e anëtarëve të saj, si edhe ruajtja e dinjitetit njerëzor të punëtorëve. Grupi komunist i Korçës e ktheu atë në një organizatë të klasës punëtore që luftoi kundër shfrytëzimit kapitalist për të drejtat ekonomike e politike të punëtorëve. Ka qenë shoqëria punëtore më e organizuar dhe më luftarake në atë periudhë. Në të merrnin pjesë rreth 500 punëtorë e mjeshtër ndërtimi të profesioneve të ndryshme; muratorë, karpentierë, suvatues, gëlqerebërës, punëtorë të tullave e të tjegullave, marangozë, teneqepunues, elektricistë etj. Në krye të SH. P. të K. ishte një këshill drejtues me kryetar Pilo Peristerin. Shoqëria mori pjesë aktive në organizimin e drejtimin e lëvizjes greviste në Korçë, në demonstratat e protestat kundër kapitalistëve, kundër regjimit të Zogut dhe ndërhyrjes së imperializmit fashist. Luftoi për demokratizimin e këshillit bashkiak, të atij të dhomës së tregtisë etj., duke marrë pjesë aktive në zgjedhjet e tyre. Regjimi e ndjeu rrezikun që përfaqësonte kjo shoqëri per rendin çifligaro-borgjez dhe e shpërndau atë më 27 shkurt 1937.

(S.Adh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shoqëria Puna E Korçës


[cite]