SHPATARAKU KONSTANDIN


SHPATARAKU KONSTANDIN
✤ (shek. XVIII). Piktor kishtar. Në mbishkrimet e disa ikonave gjendet emri i tij dhe mbiemri Shpataraku, prandaj do të ketë qenë nga ndonjë fshat i krahinës së Shpatit të Elbasanit. Emri i tij gjendet edhe në një kodik të kishës së Shën Kollit në Elbasan me datë 31.5. 1759. Ka bërë afreske edhe në kishën e manastirit të Sh. Marinës në rrethin e Pogradecit.

Ikonat e tij më të hershme kanë datën 1736. Ka bërë shumë ikona në kishën e manastirit të Ardenieës (Fier), të Cikalleshit afër Kavajës, të Shën Pjetrit në Vithkuq. të Sh. Prokopit në Vërdovë të Pogradecit. Ndër më të njohurat është ikona me titull «Shën Gjon Vladimiri» Figura qendrore e Vladimirit rrethohet me 12 skena, midis tyre paraqitet figura e Karl Topisë që tregon kishën në sfond. Në skena të tjera të kësaj ikone si dhe të ikonave të tjera të K. Sh. vërehet prirja për trajtimin e figurave me elementë të aukshëm jetësorë, me veshje të kohës, me kompozim të natyrshëm dhe vizatim të shkathët e plotë lëvizje. Disa nga ikonat e K. Sh. ruhen në Muzeun e artit mesjetar në Korçë.

(H.N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Shpataraku Konstandin


[cite]