SHPELLA E NEZIRIT
✤ Vendbanim shpelior prehistorik rreth 800 m në VL të shpellës së Blazit (shih) në zonën e Matit. Gërmimet janë bërë më 1979-1981. Vendbanimi ka pasur jetë mjaft të gjallë, që vërtetohet nga trashësia e shtresës kulturore deri në 4 m dhe horizontet e shumta të banimit. Janë përcaktuar tri periudha: eneoliti, bronzi i hershëm, bronzi i mesëm. Karakteristike për eneolitin është qeramika njëngjyrëshe gri në të zezë, e lëmuar dhe e lustruar, e ngjashme me qeramikën eneolitike të Maliqit. Për periudhën e bronzit të hershëm tipike është qeramika shiritore dhe ajo pseudobarbotine. Qeramika e bronzit të mesëm është punuar më me kujaes, paraqitet e thjeshtë, por më e larmishme nga format, ndër të cilat spikatin ato me vegjë shiritore mbi buzë, brinake e si teh sëpate.
(Zh.A.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Shpella E Nezirit
[cite]