Shtylla kurrizore dhe pjesët e saj
Shtylla kurrizore është pjesa kryesore mbajtëse e trupit të njeriut. Në pjesën e sipërme të saj lidhet me kafkën dhe në anën e poshtme me kockën e legenit. Po të kalojmë gishtërinjtë mbi shtyllën kurrizore, vëmë re menjëherë se ajo nuk është e formuar nga një kockë e vetme, por nga shumë kocka të vogla të vendosura njëra mbi tjetrën. Këto kocka të vogla quhen rruaza (vertebra). Shtylla kurrizore ka gjithsej 33 rruaza (në disa raste të rralla 34), të cilat formojnë pjesë të ndryshme të saj: 7 të parat formojnë qafën; 12 të tjerat formojnë pjesën e kraharorit; 5 rruaza formojnë pjesën e belit; 5 pjesën e kërbishtit dhe 4 të fundit formojnë -«bishtin.
Rruazat kanë një formë të posaçme, që i lejon të vendosen e të puthiten mirë mbi njëra-tjetrën. 24 rruazat e para, d.m.th. ato të qafës, të kraharorit, të belit janë të lëvizshme. Ndërmjet tyre janë vendosur disa disqe, të quajtura disqe ndërruazore, që i lidhin dhe i nyjëtojnë mirë rruazat dhe e lejojnë shtyllën kurrizore të kryejë lëvizje të ndryshme, të përkulet para e mbrapa; anash etj. 9 rruazat e fundit janë të palëvizshme: 5 të parat formojnë një kockë më vete, kërbishtin.