Si janë ndërtuar eshtrat
Eshtrat janë trupa porozë, të fortë e të qëndrueshëm. Ata janë të ndërtuar në një mënyrë të posaçme: përbrenda tyre janë të zgavërta. Pjesa e brendshme e zgavrës së eshtrave është e mbushur me një lëndë të qullët, nga palca e eshtrave.
Pjesa e sipërme e eshtrave është e formuar nga një lëndë e ngjeshur dhe e fortë, e cila është shumë e zhvilluar tek eshtrat e gjatë, kurse pjesa e brendshme është e formuar nga një lëndë e sfungjertë, që kufizon hapësirat e zgavërta të mbushura me palcë. Sipërfaqja e eshtrave është e mbuluar nga një cipë indore e hollë, që është shumë e ndjeshme e në të cilën ndodhen shumë enë gjaku. Kjo cipë quhet periosti. Në këtë cipë ndodhet një shtresë tjetër shumë e rëndësishme, shtresa ë arterioblastëve, që luan një rol me rëndësi në zhvillimin dhe në ripërtëritjen e eshtrave. Përbërja kimike e eshtrave është kjo: 30 për qind lëndë organike dhe 70 për qind lëndë inorganike. Lënda organike që përbën eshtrat, quhet oseinë. Kjo lëndë u jep eshtrave elasticitet dhe i bën më pak të thyeshme. Lëndët inorganike kryesore që marrin pjesë në përbërjen e eshtrave janë fosfori dhe kalciumi. Kalciumi u jep eshtrave qartësinë dhe bardhësinë karakteristike, ndërsa fosfori ndodhet në bërthamën e çdo qelize eshtërore. Qumështi është i pasur me kalcium dhe me fosfor. Kjo është arsyeja që fëmijët ushqehen me shumë qumësht. Nëse për një arsye ose për një tjetër prishet baraspesha e këtyre lëndëve, eshtrat bëhen, sipas rastit, shumë të thyeshme ose shumë të ashpra.