SHUMIMI I QELIZAVE

Ditë për ditë e gjatë gjithë jetës indet organizmit tonë riprodhohen pa pushim. Ky riprodhim mbështetet te shumimi i qelizave. Çdo qelizë që ka arritur pjekurinë, shumohet duke u ndarë në dy qeliza të reja të njëllojta. Në këtë mënyrë ripërtërihet lëkura e. trupit tonë, shtresat e sipërme të së cilës shkatërrohen vazhdimisht nga shkaqe të ndryshme. Dhe jo vetëm qelizat e lëkurës, por edhe qelizat kërcore, ato të indeve, të mushkërive dhe të eshtrave kanë aftësinë të shumohen. dhe të prodhojnë inde të reja ose të riparojnë dëmtime të ndryshme. Vetëm qelizat e sistemit nervor dhe ato të muskujve nuk riprodhohen.

Ndarja qelizore është një dukuri thelbësore e qelizës. Kjo ndarje fillon te bërthama e qelizës, tek ato fijëza të holla që quhen kromozome. Në një çast të dhënë, kur qeliza arrin pjekurinë, nga çdo kromozom formohen dy kromozome të reja, të cilat, pasi vendosen në fillim në mesin e bërthamës përballë njëri-tjetrit në grupe të barabarta, më pas zhvendosen në të dyja anët e saj. Në këtë mënyrë brenda në bërthamë formohen dy bërthama. Ndarja e bërthamës në dy bërthama shoqërohet edhe me ndarjen e citoplazmës së qelizës. Kështu ndodh që nga një qelizë formohen dy qeliza të reja të njëllojta me qelizën-mëmë. Përveç këtij riprodhimi që mbështetet në ndarjen qelizore, ka edhe një riprodhim tjetër më të lartë, në bazë të të cilit çdo organizëm është i aftë të riprodhojë një organizëm tjetër të njëllojtë me vetveten. Kjo është një aftësi e mrekullueshme e organizmave të gjallë dhe e njeriut.

Trupi — Ynë

[cite]