SI PUNON ZEMRA
Për të kuptuar punën që bën zemra, le ta fillojmë shpjegimin nga çasti kur veshi i majtë i saj mbushet me gjak venoz, që e sjellin aty dy venat e mëdha zgavrore, e sipërmja dhe e poshtmja. Pas një tkurrjeje të vogël, gjaku venoz kalon nga veshi i djathtë në barkushen e djathtë nëpërmjet valvolës, e cila në këtë çast hapet. Kur barkushja mbushet me gjak, muskujt e saj tkurren, ndërsa valvola mbyllet. Në këtë rast gjakut nuk i mbetet të marrë veçse një rrugë, të hyjë në arterien e gjerë që shkon te mushkëritë. Kështu pra, gjaku venoz arrin te mushkëritë, hyn në rrjetën kapilare mushkërore, lëshon aty, në hojëzat e mushkërive, gazin karbonik dhe ngarkohet me oksigjen.
Nga kapilarët e mushkërive, gjaku hyn në venat e gjera mushkërore (këto janë të vetmet vena që transportojnë gjak të pastër arterior) dhe vjen në veshin e majtë të zemrës. Me të njëjtën mënyrë, ashtu si ndodh edhe në krahun e djathtë, gjaku nga veshi i majtë kalon nëpërmjet valvolës në barkushen e majtë dhe prej këtej, kur barkushja tkurret dhe valvola mbyllet, hyn në aortë. Kjo e shpërndan gjakun në arterie të tjera më të holla që e përcjellin atë në të gjitha pjesët e trupit. Kjo është puna e dy pompave të zemrës: njëra, e djathta, e shtyn gjakun për te mushkëritë, ndërsa tjetra, e majta, e shpërndan atë në të gjithë trupin.
Në çdo tkurrje të zemrës, shtyhen jashtë nga çdo barkushe e saj rreth 60-70gr gjak. Duke ditur se zemra tkurret afro 70 herë në një minutë, është llogaritur se në një orë ajo fut në qarkullim 500 litra gjak, ndërsa brenda një dite rreth 12 000 litra. Kjo është një punë kolosale. Por gjëja më e habitshme është se zemra e kryen këtë punë pa ndërprerje, gjatë gjithë jetës, duke rrahur mesatarisht rreth 100 mijë herë në ditë. Edhe pse nuk është më e madhe se një grusht, zemra brenda një dite zhvillon aq energji sa do të mjaftonte për të ngritur një njeri me peshë 70 kg në 300 m lartësi. Njeriu ka krijuar makina të ndryshme të mrekullueshme, por asnjë ndër to nuk është e aftë të punojë 24 orë në ditë, çdo ditë, për 60, 80 ose 100 vjet rresht, aq sa mund të zgjasë jeta e një njeriu.
Për shumë kohë mjekët kirurgë mendonin se nuk mund të praktikoheshin operacione në zemër. Çdo çarje e zemrës do të shoqërohej me rrjedhjen e pandërprerë të gjakut dhe me vdekjen e të sëmurit. Por sot shkenca mjekësore ka arritur të krijojë disa aparate të mrekullueshme, të cilat kanë aftësinë të zëvendësojnë, për një farë kohe, punën e zemrës dhe të mushkërive. Me ndihmën e këtyre aparateve kirurgët mund të kryejnë operacione të ndryshme në zemër, si p.sh. të rregullojnë një valvolë të dëmtuar, ta zëvendësojnë atë me një valvolë artificiale etj. Operacione të tilla kryhen me sukses edhe në vendin tonë. Kjo ka shpënë në mjekimin e shumë sëmundjeve që më parë quheshin të pashërueshme.