AKILI, ENEU DHE HEKTORI
Si mbaruan së ngrëni e së piri, akejtë u bënë gati për betejë.
Mu si ato fjollat e dendura të dëborës, që bien nga qielli një ditë dimri, ashtu dilnin nga anijet përkrenaret e parzmoret, heshtat dhe mburojat. Vezullimi i armëve shkreptinte në qiell dhe toka ndrinte e tëra.
Akili u armatos si një perëndi. Mbështolli këmbët me kollçikë hekuri e të stolisur, shtrëngoi parzmoren rrotull kraharorit, ngjeshi shpatën në ijë, vuri në kokë përkrenaren dhe mori mburojën dhe heshtën, atë heshtë aq të gjatë e të rëndë, që asnjeri s’mund ta përdorte përveç tij. Mburoja ndrinte si hëna dhe puplat e përkrenares shkëlqenin në diell; kur e panë Akilin të armatosur gjer në dhëmbë, të pashëm, të fortë e të tmerrshëm, edhe shokët e tij u trembën.
Automedonti ende s’i kishte ngarë kuajt, kur njëri prej tyre, kali Ksanto, uli kokën, duke çikur tokën me kreshtë, dhe foli:
— Foli kali? — pyeti Leoja me habi.
— Po, kuajt e Akilit ishin të jashtëzakonshëm dhe të pavdekshëm. Ndoshta Teti i dha gojë Ksantos që të përpiqej t’i mbushte mendjen Akilit të mos shkonte në luftë.
— Ose ndoshta Teti vetë u bë kalë, — u hodh e tha Leoja. — Po çfarë tha kali? .
— Ja ç’tha: «Akil, po të flas hapur: ti je shumë i fortë, po në u kthefsh në luftë, të pret vdekja. Po të vazhdosh të luftosh, do të biesh në kthetrat e vdekjes, e cila do. të të rrëzojë përtokë.»
Po Akili u përgjigj:
— Po, Ksanto, ka kohë që e di se e kam të thënë të vdes në Trojë, megjithatë erdha. Mos kërkon që unë të kthehem mbrapsht prej frikës? S’bën mirë që më flet kështu, unë do të luftoj. Shkojmë, Automedont.
Automedonti i fshikulloi kuajt dhe këta morën vrap. Fusha u mbush me njerëz e me kuaj. Kudo vezullonin armët. Dy heronj dolën në rreshtin e parë. Ishin Akili, biri i Peleut, dhe Eneu, nipi i Priamit.
Eneu doli i pari. Në kokë kishte përkrenaren, kurse në dorën e djathtë heshtën me majë bakri. Kraharorin ia mbronte parzmorja dhe mburoja e’ fortë.
Me ta parë, Akili i doli përpara si një luan i uritur. Eneu deshi të godiste Akilin; heshta e tij kumboi mbi parzmoren e heroit me zhurmë, po nuk e theu, sepse Hefesti e kishte bërë atë mburojë shumë të fortë. Tani edhe i biri i Peleut e hodhi heshtën e tij të gjatë, e vetëm ia theu mburojën, por nuk e plagosi Eneun. Atëherë princi trojan u përkul, mori në dorë një gur të madh, që mezi do ta mbanin dy veta, po që ai e ngriti me lehtësi dhe deshi të godiste me të armikun. Mirëpo Akili ishte derdhur mbi të dhe po matej ta godiste; do ta kishte plagosur patjetër dhe Eneu do të kishte rënë në fushën e betejës, po të mos i kishte ardhur këtë çast një ndihmë e jashtëzakonshme.
Kur po matej të godiste Eneun, Akili u gjend përnjëherë i mbuluar nga një re e dendur, që ia zinte krejt pamjen. Nuk shihte më dot as armikun as fushën e betejës. Dhe po atë çast, Eneun e shtyu një dorë shumë e fuqishme, që gati po e ngrinte peshë. Nuk shihte asnjeri, por diç e shtynte të rendte pa pushim si nuk kishte rendur kurrë ndonjëherë. Përshkoi me vrap tërë fushën e betejës dhe vetëm kur u gjend shumë larg, mundi të ndalej. Dhe atëherë dëgjoi një zë.
— Ene, — tha një zë — kush të ka dhënë urdhër të luftosh me Akilin? Je shumë i fortë dhe mund t’i mundësh të gjithë, por Akilin s’e mund dot dhe nuk duhet. të luftosh me të.
— Kush i tha këto fjalë? — pyeti Leoja.
— I tha Poseidoni, perëndia e detit. Zotat e donin Eneun. Ai do të bëhej udhëheqësi i atyre trojanëve që , do të shpëtonin gjallë nga lufta. Eneu i udhëhoqi për në Itali trojanët që mundën të shpëtonin, e u bë mbret, në qoftë se historia që tregojnë është e vërtetë, disa nga italianët e sotëm janë bijtë e bijve të bijve, të bijve të këtyre trojanëve.
— Atëherë unë jam trojan nënë! — tha Leoja. 1 ëdmëd
Po mos harro se unë thashë: disa italianë. Të tjerët kanë ardhur nga Greqia, disa të tjerë nga Gjermania; në Itali kishte pasur dhe të tjerë njerëz para se të vinin trojanët. Po le të kthehemi tek Akili, që e lamë në mes të mjegullës. Reja u davarit pak nga pak; Akili kërkoi me sy Eneun dhe nuk e pa. më. E kuptoi se armikun e
tij e ndihmonte tani ndonjë perëndi dhe u vërsul si i tërbuar e me një forcë të pabesueshme kundër ushtrisë trojane.
Ishte me të vërtetë i llahtarshëm: kushdo që e shihte dridhej nga frika, asnjeri s’mund ta priste sypatrembur. Trojanët futeshin brenda mureve, e kështu të gjithë u gjendën brena tyre, dhe Akili mbeti fill vetëm në fushën e shkretuar.
Po Hektori, biri i Priamit, më i forti i trojanëve, qëndronte më këmbë përpara njërës prej portave, sepse donte të luftonte. Priami, i ati plak, e thërriste duke qarë: .
— O bir, bir i dashur, mos lufto Akilin! Kthehu brenda mureve, sepse ti je mbrojtja jonë e vetme! Po u vrave ti, të gjithë jemi të mbaruar, po u munde ti të gjithë jemi të mundur!
Kështu fliste Priami duke qarë. Edhe mbretëresha Hekuba qante e i lutej të birit që të kthehej.
Po Hektori nuk përgjigjej dhe priste si i ngurrosur. Mendonte: Nuk mund të tërhiqem. O do ta vras Akilin o do të vdes, s’ka rrugë tjetër për ne, sepse edhe sikur të donim ta kthenim Helenën dhe të luteshim që të bëhej paqe armiqtë do të na tallnin se jemi frikacakë. Duhet të dalim ngadhnjimtarë, o të vdesim.
Hektori po e priste pa frikë. Kur e pa afër ashtu të pashëm si e të fortë, me armët që i shndritnin si dielli dhe me heshtën vigane në dorë, u tremb dhe ua mbathi këmbëve. Tri herë i biri i Priamit u ra rrotull mureve dhe tri herë i biri i Peleut u ra rrotull mureve duke e ndjekur. Të katërtën herë, Hektori pa një djalosh që po i dilte përpara dhe dukej krejt si i vëllai, Deifobi.
— Nuk ishte ai? — pyeti Leoja.
— Jo, ishte Paladë Atena. Kishte marrë pamjen e Deifobit që të mashtronte Hektorin dhe të ndihmonte Akilin. Iu afrua princit trojan dhe i tha: — Pse shkon, o vëlla? Prite Akilin dhe të ndeshemi me të menjëherë. Kemi për të parë a do të fitojë apo do ta vrasë heshta jote.
Atëherë Hektori u ndal duke falënderuar Deifobin dhe i foli Akilit.
— O bir i Peleut, nuk trembem më përpara teje. Do të të mund ose do të mundem. Të bëjmë një marrëveshje. Po të vrava, do të t’i zhvesh armët e bukura, pastaj trupin tënd do t’ua kthej shokëve të tu. Edhe ti kështu të bësh me mua po më vrave.
Po Akili e vështroi Hektorin shtrembër dhe iu përgjigj:
— Asnjë marrëveshje nuk bëjnë midis tyre njeriu dhe luani, as ujku, dhe qengji, as njerëzit që urrehen midis tyre. Dhe unë të urrej ty, që më shkaktove aq hidhërime mua dhe shokëve të mi, që na ke vrarë aq shumë trima. Kujdesu vetëm që të jesh i fortë; edhe unë vetëm për këtë do të mendoj.
Kështu foli Akili dhe e flaku heshtën; po Hektori u përkul dhe heshta kaloi mbi të e shkoi u ngul në tokë prapa tij. Paladë Atena e mori që përdhe dhe ia dha prapë Akilit, të cilin e kishte nën mbrojtje.
Edhe Hektori e hodhi heshtën; kjo goditi mburojën e Akilit, po nuk e theu, dhe shkoi e ra larg. Atëherë Hektori thirri:
— Deifob, vëlla i dashur, më jep një heshtë tjetër që të mund të luftoj!
Po asnjeri nuk iu përgjigj. Deifobi ishte zhdukur. Hektori e kuptoi mashtrimin dhe, duke shtrënguar shpatën në dorë, u derdh mbi Akilin. Akili po mbrohej mirë me mburojë e ndërkaq kërkonte në parzmoren e Hektorit një pikë të dobët ku të ngulte shpatën. Pa se gryka e armikut, aty ku mbaronte parzmorja, ishte pa mbrojtje dhe në këtë pikë ia hodhi heshtën me tërbim. Heshta u ngul në qafën e Hektorit dhe heroi trojan ra përdhe duke hequr shpirt e duke iu lutur Akilit që t’ia kthente t’et trupin e tij.
Akili nuk pranoi. — Trupin tënd do ta hanë qentë, o vrasës i Patroklit. — Ia shkuli heshtën nga trupi e ia zhveshi armët. Kur e panë akejtë, erdhën me vrap dhe secili hapi nga një plagë në trupin e heroit duke thënë:
— Hektor, tani qenke shumë më i urtë se kur u vije zjarrin anijeve!
— Kjo që bënin ishte gjë e shëmtuar, — tha Leoja?
— Ashtu vërtet, po njerëzve të lashtësisë nuk u dukej e shëmtuar. Edhe Akili, më fisniku i të gjithëve, bëri diçka që sot nuk do ta bënte asnjë hero. Armikut të vrarë ia lidhi këmbët pas karros së tij, kurse trupin ia la t’i dergjej përdhe; hipi në karro, fshikulloi kuajt dhe trupi i birit të Priamit u zvarrit përmes pluhurit rreth e qark mureve të qytetit. Kuajt vraponin dhe prapa karros ngrihej pluhuri si shakullinë.
Trojanët hipën mbi muret dhe panë heroin e tyre midis pluhurit; koka dhe trupi i tij i bukur po zvarriteshin në dhe. Atëherë të gjithë luftëtarët ia dhanë të qarit, qau edhe plaku Priam, edhe plaka Hekubë, edhe Andromaka e bukur, e shoqja e heroit, qau e pikëlluar.
Pasi qau e qau, Priami u ngrit më këmbë dhe tha:
— Do të shkoj tek Akili dhe do t’i kërkoj trupin e tim biri. Ndoshta kur të më shohë që jam plak, i pikëlluar dhe i këputur, do të ketë mëshirë për mua dhe do të ma japë tim bir.
Të tjerët qanë me zë të lartë, duke thënë:
— Akili nuk do të ta kthejë trupin e tët biri, përkundrazi, do të të vrasë edhe ty. Mos shko, mos shko!
Po Priami nuk i dëgjoi lutjet e Hekubës, të bijve dhe trojanëve por shkoi fillthi në kampin e armikut.