STAFA QEMAL


STAFA QEMAL
✤ (1920-1942). Militant komunist, figurë e shquar e lëvizjes komuniste dhe e Luftës ANÇ, një nga bashkëluftëtarët më të ngushtë të sh. Enver Hoxha në themelimin e PKSH dhe organizimin e kryengritjes së armatosur, udhëheqës dhe organizator i RKSH, Hero i Popullit. Lindi në Elbasan më 20.3.1920 në një familje patriote. Nxënës në gjimnazin e shtetit të Shkodrës përqafoi idetë komuniste, hyri në një nga celulat e qytetit, mori pjesë në lëvizjen revolucionare të rinisë, u bë një nga drejtuesit e shoqërisë jashtëshkollore «Besa Shqiptare». Në Tiranë u’ lidh me Vasil Shanton, u organizua në GK të Shkodrës (1937) dhe së bashku me V.Shanton zhvillon veprimtari revolucionare, ngre celula komuniste, përhap idetë komuniste e literaturë revolucionare, lidhet me punëtorët, organizon aksione të rinisë shkollore. Në janar 1939 u arrestua e u dënua me burgim nga gjyqi që regjimi i Zogut organizoi kundër elementëve komunistë. Në gjyq nga i akuzuar u kthye në akuzues i regjimit e rendit feudalo-borgjez, deklaroi se është komunist dhe se vetëm komunizmi do ta shpëtonte masën e punëtorëve nga shtypja e mjerimi. Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë arratiset nga burgu dhe bashkë me V. Shanton organizon qëndresën antifashiste, punon pa u lodhur për tërheqjen e rinisë në luftë kundër pushtuesit të huaj, propagandon me zjarr idetë komuniste. Vijoi përkohësisht studimet në Itali dhe pas kthimit në atdhe u hodh në ilegalitet.

Pasi u njoh me sh. Enver Hoxha, mbështeti deri në fund platformën e tij për shkrirjen e grupeve komuniste në një parti të vetme marksiste-leniniste. Mori pjesë në Mbledhjen për themelimin e PKSH si përfaqësues i GK të Shkodrës dhe së bashku me Vasil Shanton luajti rol të rëndësishëm përkrah shokut Enver Hoxha për përfundimin me sukses të saj. U zgjodh anëtar i KQ të Përkohshëm të PKSH dhe në mbledhjen për krijimin e organizatës së RKSH u zgjodh sekretar politik i saj. Kreu me sukses shumë detyra të rëndësishme për organizimin e forcimin e Partisë, për luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve të vendit, për demaskimin e shpartallimin e elementëve përçarës antiparti etj. Mori pjesë në Konsultën e parë të Aktivit të Partisë (1942). Si komunist i pjekur e i vendosur, ndonëse i ri në moshë, me guximin, aftësitë e kulturën e tij u bë një nga udhëheqësit më aktivë të Partisë, udhëheqës i talentuar e i dashur i rinisë, simbol i madh i luftës dhe i vetëmohimit për kauzën e Partisë. U rrethua nga fashistët në Tiranë dhe duke luftuar heroikisht u vra në 5 maj 1942.

Q. S. ishte dhe letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersna, një pjesë e të cilave u hotuan me pseudonimin «Brutus» në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e rinj realistë të viteve 30. Në shkrimet e tij u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzii e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk mposhten nga vështirësitë, që luftojnë për një botë të re. Në një varg shkrimesh me karakter publicistik Q. S. paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin «Qortimet e vjeshtës» (1961).

Pas Çlirimit emrin e Q. S. e mbajnë rrugë e sheshe, shkolla e institucione, qendra pune e reparte ushtarake. Në kryeqytet, në sheshin që mban emrin e tij, është ngritur busti i heroit. Dita e rënies së Q. S. përkujtohet si Dita e Dëshmorëve.

(M. I. -N. J.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Stafa Qemal


[cite]