RRETH NJË STUDIMI MONOGRAFIK TË PAPËRFUNDUAR
PËR KODIKËT E SHQIPËRISË
(KATALOGU DHE PËRSHKRIMET E KOSTA NAÇOS)
NEVILA NIKA
I.
Pasuria dokumentare që ruhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë mund të konsiderohet
padyshim një thesar i paçmuar, sidomos duke pasur parasysh historinë e trazuar mijëravjeçare
nëpër të cilën ka kaluar vendi ynë. Grumbullimi i kaq shumë vlerave në këtë institucion është
arritje e disa brezave arkivistësh. Dhe, ndërkohë që sot gjithkush mund t’i studiojë apo edhe
thjesht t’i kundrojë të gjitha këto, pyetjet që vijnë natyrshëm, sapo të krijohet mundësia e
njohjes, janë: Nga erdhën, kush i krijoi, kush i ruajti, kush shpenzoi për krijimin e tyre, kujt
duhet t’i jemi mirënjohës për këtë thesar etj., etj.
Pjesa më e vjetër e me vlera krejtësisht të veçanta e dokumenteve të këtij arkivi, ashtu si
edhe në të gjitha vendet europiane, janë ato me prejardhje nga komunitetet fetare të krishtera
(ortodokse e katolike). Po cilët ishin këta njerëz, që me aq përkushtim e vetëmohim i krijuan
e i mbrojtën edhe me jetën e tyre këto dorëshkrime kaq të vyera?


“Ata quhen të tillë nga një farë Kristus, që u dënua me vdekje nga Pons Pilati, gjatë mbretërimit
të Tiberit”. Dhe pikërisht nga kjo referencë e parë për krishtërimin, të cilën e kemi në sajë të
historianit romak Taciti, kuptojmë përse doktrina e krishterë ishte më e fortë se sistemet e
tjera fetare. Ajo bazohej në një person konkret, dhe jo si besimet e mëparshme, të cilat
bazoheshin në ngjarje e fenomene të mbinatyrshme që duhej të kishin ndodhur shumë kohë
më parë në thellësinë e shekujve. Pra, Krishti ishte “Biri i njeriut”; dhe mrekullia e ringjalljes
së tij kishte ndodhur gjatë mbretërimit të Tiberit, në kohën e konsullit Pons Pilati. Premtimit të
madh për një lumturi hyjnore të përjetshme, që Krishti ua bënte pasuesve të tij, shpirtrat e
këtyre nuk mund t’i rezistonin. Por kishte edhe të tjera gjëra që, me sa duket, ushtronin një
ndikim shumë më të thellë dhe që ne sot nuk mundemi t’i përfytyrojmë: Jezui mundej në çdo
çast të kthehej në tokë për “të gjykuar të gjallët e të vdekurit”. Forca parashikuese e Shën
Gjonit për Apokalipsin dhe bindja e palëkundshme e evangjelistëve e ngriti besimin e të
krishterëve të parë deri në atë pikë sa për ata asnjë rrezik tokësor nuk përbënte pengesë.
Mësuesi ishte gjithnjë pranë besimtarëve jo vetëm në ushtrimin e e riteve fetare, por edhe në
jetën e përditshme. Krishtërimi ofronte “forcën e Shpirtit të Shenjtë” dhe afërsinë me Zotin;
besimet e tjera nuk ofronin asgjë tjetër veçse një përvojë fetare të vakët dhe që bëhej e
mundur vetëm herë pas here nëpërmjet “sakramenteve”. Sipas historianit Daniel-Rops, “për
një të krishterë mesazhi i Jezuit nuk është një shpikje, një doktrinë filozofike e lindur në trurin
e një gjeniu; është akoma më shumë: zbulimi nga Zoti i shprehjes përfundimtare jo vetëm
nga një e vërtetë, por nga e Vërteta e Përjetshme, ajo që njerëzit kanë dëshiruar, hamendësuar,
nganjëherë edhe afruar, por kurrë nuk është formuluar e tëra. Dhe akoma më shumë që
mesazhi e tij është vetë Jezui, që u largohet kategorive të kohës dhe të hapësirës. Dhe
është drama e Shëlbimit, që nuk është vetëm një fakt historik, që u zhvillua në një epokë dhe
në një vend saktësisht të njohur; por është një element i përhershëm i dramës së përjetshme
të njeriut që rrjedh pa ndalur në sekretin më të madh të zemrës së tij.”
Jezui i kishte mësuar pasuesit e tij se Zoti është një Atë jo vetëm për hebrejtë, por për të
gjithë njerëzit, pa dallim race apo gjendjeje shoqërore. Apostujt e zgjedhur prej tij kishin filluar
predikimet menjëherë. Pikërisht ditën e Rrëshajave Shën Pjetri kishte predikuar para turmës
së popullit. “Dhe po atë ditë raportojnë “Punët e Apostujve”, numri i dishepujve u rrit me rreth
3000 persona.” Por pikërisht në të njëtën kohë nisi edhe persekutimi më i egër ndaj tyre e që
do të vazhdonte me shekuj.
Hebreu Sanhedrin, i cili kishte dashur dhe arritur të realizonte vdekjen e Jezu Krishtit, u
përpoq t’i kundërvihej përhapjes së këtij besimi dhe organizoi persekutimet. Dhjaku Etien u
vra me gurë disa muaj më vonë pas dramës së Kalvarit. Ky është martiri i parë i kishës.
Midis persekutorëve të të krishterëve të parë u dallua një hebre i quajtur Saul nga vëllezërit e
tij dhe Pal nga greko-romakët. Ai u konvertua mrekullisht në fenë e krishterë gjatë një udhëtimi
të tij në Damask dhe që nga ajo kohë u shndërrua në një ndër propagandistët më të zjarrtë të
fesë së krishterë. Ai ungjillizoi një numër të madh qytetesh në Azinë e Vogël, në Maqedoni,
Iliri, Greqi dhe ndoshta edhe në Kretë dhe Spanjë. Më shumë se kushdo tjetër ai kontribuoi në
organizimin e komuniteteve të para të krishtera. Themeloi në Korint një komunitet që shumë
shpejt pati një komunitet binjak në Romë. Të dy këto qytete kishin marrëdhënie shumë të
ngushta në fushën e tregtisë. Përpara se të hynte në kontakt të drejtpërdrejtë me vëllezërit e
tij në bregun e Tiberit, Pali kishte shkruar për ta letrën “Romakëve”. Por në Romë ai shkoi si
i burgosur. Meqenëse në Jeruzalem bashkatdhetarët e tij kishin kërkuar ta vrisnin me gurë,
sepse kishte shkelur rregullat e tempujve hebreje, autoritetet romake ndërhynë në këtë konflikt,
duke e dërguar Palin në Romë për t’u gjykuar nga vetë Perandori. Vetë Pali gëzonte të drejtat
e qytetarit romak. Eshtë i panjohur vendimi që u dha ndaj tij, pasi për të që nga kjo kohë nuk
flitet më. Në një letër të drejtuar komunitetit të krishterë të Filipopolit /”Filipianëve”/ ai shkruan
se dëshiron “të dërgohet e të bashkohet me Krishtin”. Ka shumë mundësi që pak më vonë
nga shkrimi i kësaj letre dëshira e tij të jetë realizuar. Sipas të gjitha gjasave, Pali vdiq si
martir, atij iu pre koka. Pikërisht në vendin e ekzekutimit, më vonë, besimtarët e krishterë
romanë ndërtuan një katedrale e cila u quajt “Katedralja e Shën Palit jashtë mureve”. Ky
rrobaqepës tendash, njeri kokulur, që gjatë udhëtimeve të ungjillizimit ushqehej nga puna e
duarve të tij, u shndërrua në një hero të besimit të krishterë. Pa dyshim të njëjtin fat pësoi në
Romë edhe Shën Pjetri, si edhe mijëra të krishterë të tjerë, të cilët u flijuan, por nuk e mohuan
Jezu Krishtin dhe besimin e krishterë.
Shën Gjoni, autori i ungjillit të katërt, Apokalipsit dhe tri letrave, punoi më shumë në Azinë e
Vogël. Ai u arrestua dhe u torturua gjatë sundimit të Domicianit, por vdiq në Efes në moshë të
kaluar nga vdekje natyrore. Përveç apostujve, shkrimet e Testamentit të Ri përmendin emrat
e dhjetëra klerikëve dhe laikëve që, nën drejtimin e ipeshkëve të vendosur në qytetet e mëdha,
përhapnin doktrinën e krishterë.
II.
Nëse në fillimet e përhapjes dhe përqafimit të këtij besimi, besimtarët nuk kishin pothuaj
asgjë të shkruar, me kalimin e viteve u bë më se e domosdoshme përcjellja e Fjalës së
Shenjtë nëpërmjet shkrimit. Gjatë sundimit të Ptolementit Filadelf Testamenti i Vjetër u përkthye
nga hebraishtja në greqisht prej 72 dijetarëve hebrej dhe njihet sot me emrin “Septuaginta”
ose “Versioni i të 70-ve”. Në shekullin e katërt e gjithë Bibla, që do të thotë “Libri i librave”,
tashmë e përkthyer edhe në latinisht, duke u bazuar në përkthimin e „të 70-ve“, u redaktua
dhe u përshtat nga Shën Jeronimi. Ky përkthim, i vetmi që u njoh zyrtarisht nga kisha, quhet
“Vulgata”. Përdorimi i këtij termi nuk do të thotë aspak se kishim të bënim me një libër të
rëndomtë, por me një libër që gjithkush e kuptonte dhe mund e duhej ta mbante pranë.
Bibla, si një përmbledhje e shkrimeve të shenjta, është e ndarë në dy pjesë: Dhjata e Vjetër
dhe Dhjata e Re. Në pjesën e Dhjatës së Vjetër janë tre grupe të librave të shenjtë të hebrejve
(Pentateuku, Profetët, Agjiografët) dhe që i takojnë besimit, historisë, institucioneve dhe
zakoneve të hebrejve. Ndërsa në pjesën e Dhjatës së Re përfshihen 4 ungjijtë, Veprat e
Apostujve, Letrat e Apostujve dhe Apokalipsi.
Me përkthimin e Biblës mund të thuhet se më në fund çdo besimtar ose jo i tillë mund të njihej
me jetën e veprën e Jezu Krishtit dhe fjalën e Zotit. Pikërisht nga këto dorëshkrime me vlera
të përbotshme mori hov kudo në botën e qytetëruar shkrimi ose thjesht kopjimi i këtyre
dorëshkrimeve me përmbajtje fetare, historike, e shoqërore. Është një mendim i pranuar nga
të gjithë se këto dorëshkrime ishin (jo vetëm për atë kohë kur u krijuan, por edhe sot) vepra të
vërteta arti. Për këto dorëshkrime me vlera të rralla shpenzohej shumë si nga ata që punonin
drejtpërsëdrejti për krijimin e tyre ashtu edhe nga ata që financonin materialisht.
Në Arkivin Qendror Shtetëror sasia e këtyre dorëshkrimeve është relativisht e madhe, duke
pasur parasysh historinë e trazuar të trevave shqiptare dhe Gadishullit Ballkanik në përgjithësi.
Ushtri të panumërta armike i shkelën këto troje duke lënë pas tyre vetëm shkatërrim e mjerim
të pamatë. E, natyrisht, një nga pasuritë tona më të çmuara, arkivat e familjeve të mëdha
shqiptare dhe ato të komuniteve të krishtera, u dëmtuan mjaft rëndë. Në shumicën e rasteve
ato u zhdukën pothuaj krejtësisht, sidomos arkivat e fisnikëve shqiptarë. Me gjithë këto humbje,
ne sot përsëri mund të mburremi se Arkivi Shqiptar zotëron dorëshkrime me vlera botërore.
Dhe e gjithë kjo është falë sakrificave e përkushtimit fetar e atdhetar të klerikëve e besimtarëve
të krishterë shqiptarë, të cilët edhe u flijuan për t’i krijuar e mbrojtur këto dorëshkrime.
Për të bërë të njohur këtë pasuri përmasash të tilla, pothuaj të panjohur për publikun shqiptar
e të huaj, në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë ka vite e dekada që punohet. Përgatitja e një
katalogu të plotë, ku do të përfshiheshin të dhënat për të gjithë kodikët të cilët ruhen pranë
këtij institucioni, është padyshim një ndërmarrje jo e lehtë. Puna u nis nga i ndjeri prof. Theofan
Popa, nga fundi i viteve 1970. Popa jo vetëm qe ndër të parët e ndoshta ndër të vetmit që
edhe në periudhën më të vështirë për historinë e komuniteteve fetare në Shqipëri ishte
interesuar për t’i shpëtuar nga zhdukja e sigurt këto dorëshkrime, por u angazhua me shumë
përkushtim për hartimin e një katalogu shkencor mbi kodikët dhe një tjetër katalogu mbi
miniaturat e kodikëve. Disa vjet pune të tij në Arkivin Qendror qenë mjaft frytdhënëse. Katalogu
mbi Koleksionin e Kodikëve hartuar nga prof. Theofan Popa është i pari gur në këtë drejtim.
III.
Nga fundi i viteve 1980 punonjësi i Arkivit Qendror, z. Kosta Naço, duke vazhduar veprën e
prof. Theofan Popës, nisi punën për hartimin e një katalogu të plotë mbi kodikët e shkruar në
gjuhën greke, që gjenden në të gjitha fondet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Duke
qenë se kjo është një punë tepër voluminoze e për rrjedhojë kërkon mjaft kohë, puna vazhdon
akoma. Dalja në dritë e kësaj vepre do të jetë padyshim e mirëpritur veçanërisht nga rrethet
e studiuesve shqiptarë e të huaj.
Punimi ka një strukturë të qartë dhe me baza shkencore. Kështu, autori, duke ndjekur kritere
mjaft profesionale, për secilin kodik jep këto elemente:
1. Vendndodhja e kodikut në AQSH.
2. Emërtimi i kodikut.
3. Materiali i përdorur (pergamenë, letër apo papirus).
4. Përmasat e kodikut.
5. Sasia e fletëve të kodikut.
6. Të dhëna mbi tekstin.
7. Kapakët e kodikut.
8. Shkrimi i përdorur.
9. Gjendja fizike e kodikut.
10. Përmbajtja e kodikut.
11. Zbukurimet (pikturat e dekoret).
12. Shënime bibliografike.
13. Anëshkrime.
14. Datimi e krahasimi me kodikë të tjerë.
Sipas K. Naços, nisur nga përmbajtja e kodikut, është më se normale që kodikët të ndahen
në disa grupe, të cilat janë:
1. Kodikë me përmbajtje teologjike, që janë tekste të Dhjatës së Vjetër, si Pentateuku,
Oktateuku e Psaltirët; tekste të Dhjatës së Re, që janë katër ungjijtë të ungjillorëve Mateu,
Marku, Luka e Gjoni, bëmat e Apostujve të Shenjtë, fjalimet e Etërve të shpallur të shenjtë nga
Kisha, si të Gjon Gojartit, Vasilit të Madh, Gregorit, Gjon Klimakut, Efrem Sirianit, Isaak Sirianit,
Teodor Prodhomit, Maksim Peloponezit etj., panagjerike etj. Në këtë grup autori ka përfshirë
edhe përshkrimet rreth jetës dhe martirizimit të shenjtorëve të shpallur nga kisha. Ai, gjithashtu,
bën përpjekje për të krahasuar këto shkrime me tekstet e Bibliotheca Hagiographica Graeca,
me tekstet paterike (të etërve) dhe ato gerondike (urtësore), që janë tekste murgjërish, në të
cilat ata bëjnë komente rreth teksteve teologjike të shoqëruara me ngjarje jetësore.
2. Kodikë me përmbajtje liturgjike e kishtare, të cilët, sipas autorit, janë: Profecitë e Dhjatës
së Vjetër, Evangjelistarët, Apostujt, Minejt (mujoret), Sinaksarët, Triodet, Eklogai (Përzgjedhjet),
Pendikostaret, Parakletiket, Oktoiku, Orologjion, Tipikon, Eukologjet, Agjasmataret, Tri liturgjitë,
Akoluthiet dhe kodikët e manastireve.
3. Kodikët me muzikë kishtare bizantine sipas z. Naço janë konsideruar si dorëshkrime mjaft
të vlefshme dhe që paraqesin shumë interes. Ai mendon se shkrimi muzikor bizantin, ku
kontribut të padiskutueshëm ka dhënë shqiptari Jan Kukuzeli, i mbiquajtur “mjeshtri”, duhet
studiuar me shumë kujdes si muzika ashtu edhe tekstet kishtare liturgjike poetike, si edhe
autorët e tyre.
4. Kodikët të cilët përmbajnë tekste filologjike e historike sipas autorit janë të pakët në numër.
Megjithatë ai në këtë grup ka përfshirë veprën e Teodor Kavaliotit.
5. Kodikët me përmbajtje juridike e mjekësore bëjnë pjesë në grupimin e fundit, ku z. Naço ka
klasifikuar kodikët e Arkivit Qendror. Sipas tij këta kodikë përmbajnë tekste me karakter juridik,
si kanone (kanune) apostolike dhe sinodike, si edhe nomokanone. Ndërsa kodikët me
përmbajtje mjekësore janë ata kodikë në të cilët përfshihen receta magjike ose edhe tekste
të mjekësisë popullore.
Punimi do të jetë i pajisur me një parathënie të z. Kosta Naço, si edhe me tregues të ndryshëm
(emëror, gjeografik, objekti).
Nga vepra e tij e pambaruar janë zgjedhur disa pjesë prej kapitullit mbi kodikët që gjenden në
fondin 488: “Koleksioni i kodikëve”. Sipas z. Naço në vepër do të zënë vend edhe kodikët që
gjenden në fondet e tjera që ruhen pranë Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë. Këto fonde janë
jo vetëm të komuniteteve fetare ortodokse, por edhe nga fonde të personaliteteve etj.
Për Kodikun nr. 45, të Beratit, z. Naço, mbasi ka bërë një përshkrim të hollësishëm të gjendjes
fizike të kodikut, vëren veçoritë e këtij kodiku në lidhje me tekstin, vinjetat e zbukurimet e tjera,
si edhe për kapakët. Kështu ai shkruan se: “…fletët e fundit kanë disa shtylla ose gjysma
shtyllash të pashkruara, ç’ka më bën të mendoj se kopjuesi i kishte lënë boshe me qëllim
pikturimi me vinjeta ose me miniatura. Kapakët e kodikut janë vënë nga restauratorët e Arkivit.
Kapakët origjinalë kanë humbur, ç’ka ka ndikuar edhe në humbjen e disa fletëve nga fillimi
dhe fundi i kodikut. Lidhja e fashikujve është bërë me spango që dallohet nga gjurmët që kanë
mbetur ende.
Në fletën 5 verso është një vinjetë në formë drejtkëndëshi e kufizuar me bordurë me të
bardhën e letrës, ndërsa vijat janë kafe e errët. Fusha është kafe e çelët. Ka të dala anësore
në cepat me zbukurime floreale. Po ashtu edhe brenda drejtkëndëshit.
Në fletën 11 recto është një vinjetë drejtkëndëshe me të dala anësore. Janë përdorur të
njëjtat ngjyra si në vinjetën e parë, që janë edhe ngjyrat e bojërave të përdorura për të shkruar
tekstin e kodikut. Kjo vinjetë në fushë ka zbukurime vizuale në formë gërshetash të ndërthurura.
Ka inicial në formë gjarpëri të përdredhur. Ndërsa iniciali a paraqitet me një zog të mbërthyer
në një shkop”.
Ndërsa për Kodikun nr.48, të Beratit, autori na jep plot të dhëna me shumë interes, sidomos
përsa i takon përmbajtjes:
“Fletët e para të kodikut kanë humbur. Fletët 1 e 2 janë shkëputur nga lidhja. Në përgjithësi të
gjitha fletët kanë vrima të shkaktuara nga mola. Po ashtu kanë edhe njolla të shkaktuara nga
lagështia. Fletët e fundit të kodikut kanë humbur. Grafia e tekstit është shkruar në njëshkolonë
me 23-25 rreshta për secilën faqe. Boja e përdorur është kafe e hapur. Me këtë bojë janë
shkruar edhe shkronjat kapitale nistore. Nga studimi me kujdes i grafisë rezulton se kodiku
është shkruar nga një dorë. Autori është anonim ngase nuk kemi fletët e fillimit dhe sidomos
ato të fundit ku autori mund të kishte lënë ndonjë shënim bibliografik. Titujt e teksteve janë
shkruar edhe me ngjyrë të verdhë në bezhë me qëllim që të shquhet qartë. Kjo bojë duhet të
jetë shtuar më vonë. Shënime bibliografike apo kronikale nuk ndeshen në fletët e kodikut.
Në fletën 1 recto: flitet për Shën Simeonin, patriarkun e Jeruzalemit; për Shën Trofinin dhe
Shën Dorirnentin; për Dëshmorin e shenjtë Eustathi.
Në fletën 1 verso: për apostullin e shenjtë Kodhrati; për profetin Jonà dhe dëshmorin e shenjtë
Fokà.
Në fletën 2 recto; e protodëshmores së shenjtë Thekla.
Në fletën 2 verso: e dëshmores sonë të shenjtë Frosina; metastaza e Shën Gjon Theologut.
Në fletën 3 recto: e dëshmorit të shenjtë Artem; Atit tonë të shenjtë Ilarion.
Në fletën 3 verso: e Atit tonë të shenjtë Averq; apostullit të shenjtë Jakov; dëshmorit të shenjtë
Aret dhe atyre që e shoqëronin.
Në fletën 4 recto: e dëshmorit të shenjtë Markjan dhe Martirit (?); dëshmorit të shenjtë Dhimitër;
Shën Nektarit.
Në fletën 4 verso: e dëshmorëve të shenjtë Terent dhe Neorul; dëshmores së shenjtë
Anastasia; Shën Markjanit, peshkop i Sirakuzës.
Në fletën 5 recto: e dëshmorëve Shën Kozma dhe Damian; Shën Akindineve.
Në fletën 5 verso: e atit tonë të shenjtë Joaniq; dëshmorëve të shenjtë Galaktion dhe Epistimon.
Në fletën 6 recto: e Shën Pavlit Homologjet; dëshmorëve të shenjtë Ankti dhe Taurioni.
Në fletën 6 verso: e dëshmores së shenjtë Matrona; dëshmorit të shenjtë Orest; dëshmorëve
të shenjtë Mina, Viktor, Vikent dhe Atit tonë të shenjtë Teodor Hmolliti.
Në fletën 7 recto: e atit tonë të shenjtë Gjon Eleimon; Atit tonë të shenjtë Gjon Gojart; apostullit
të shenjtë Filip.
Në fletën 7 verso; e dëshmorëve Samonas, Gurias dhe Amvivi; apostullit dhe ungjillorit Mateu.
Në fletën 8 recto; e atit tonë të shenjtë Grigorit Çudibërës; dëshmorit të shenjtë Platon.
Në fletën 8 verso; e Shën Grigor Dekapolitit; eksodet e të Mbishenjtëruarës Perëndilindëse;
dëshmorëve të shenjtë të Kikilisë.
Në fletën 9 recto: e Shën Jakovit të Persit; Atit tonë të shenjtë Stefani i Ri.
Në fletën 9 verso: dëshmorit të shenjtë Paramoni (Paravoni); apostullit të shenjtë Andrea;
profetit të shenjtë Naum.
Në fletën 10 recto: e profetit të shenjtë Jakov; profetit të shenjtë Sofron.
Në fletën 10 verso: e dëshmores së shenjtë, të madhe, Varvara.
Në fletën 11 recto: e atit tonë të shenjtë Nikolla; atit tonë të shenjtë Ambrozi.
Në fletën 11 verso: e atit tonë të shenjtë Patapi; arrestimi i Shën Anës; dëshmorëve të shenjtë
Mina hermogjeni dhe Agrafi.
Në fletën 12 recto: e atit tonë të shenjtë Daniel Stilistit; atit tonë të shenjtë Spiridon; dëshmorit
të shenjtë Eustrat dhe atyre që ishin me të.
Në fletën 12 verso: e dëshmorëve të shenjtë Toristi dhe Leuku; dëshmorit të shenjtë Eleuteri;
tri fëmijve të shenjtë dhe Daniel Profetit.
Në fletën 13 recto: për lindjen e Krishtit dhe të etërve të shenjtë; dëshmorit të shenjtë Sebastian.
Në fletën 13 verso: e dëshmorit të shenjtë Ignat; dëshmores së shenjtë Juliana.
Në fletën 14 recto: e dëshmores së shenjtë Anastasia nga Roma; dëshmorëve të shenjtë të
martirizuar në Kretë; Shën Evgjenisë; mbi lindjen e atit tonë të shenjtë Jezu Krisht.
Në fletën 14 verso: e dëshmorit të shenjtë Enthim; protomartirit të shenjtë Stefan dhe Shën
Theodhorit; Shën Dhimitrit.
Në fletën 15 recto: e fëmijve të shenjtë; Shën Markelit; të shenjtit e homologjetit Theodhor.
Në fletën 15 verso: e dëshmores së shenjtë Anysia; profetit të shenjtë David dhe Josifit dhe
Jakovit vëllait të Perëndisë; peritomi i zotit tonë Jezu Krisht dhe të atit tonë Vasil.
Në fletën 16 verso: e atit tonë të shenjtë Silvestër; profetit të shenjtë Mallah; dëshmorit të
madh Teon.
Në fletën 16 verso: e atit tonë të shenjtë Teoktist dhe Shën Fosterit; Shën Teofanisë.
Në fletën 17 recto: e dëshmores së shenjtë Domenika; e dëshmorit të shenjtë Polieukt; atit
tonë të shenjtë Grigorit të Nishit; atit tonë të shenjtë Theodhor.
Në fletën 17 verso: e Shën Tatianës; e dëshmorëve të shenjtë Ermit dhe Stratonik; Shën
Asvadhisë rënë në Raixha.
Në fletën 18 rekto: e atit tonë të shenjtë Joan Kalivati.
Në fletën 18 verso: e atit tonë të shenjtë Andon; etërve tanë të shenjtë Athanas dhe Ciril; atit
tonë të shenjtë Makar të Egjiptit.
Dhe kështu në vijim, siç u pasqyrua më lart, Naço vazhdon të japë hollësisht përmbajtjen e
këtij kodiku.
Për Kodikun nr. 50, të Beratit, veçojmë përcaktimin mbi tekstin dhe grafinë e tij: “… teksti
është shkruar në njëshkolonë, me nga 23 deri në 27 rrjeshta për faqe. Grafia është e tipit të
vonë, e shkruar shumë bukur e shumë qartë. Grafia është me bojë kafe të thellë. Shkronjat
anësore kapitale dhe titujt e tekstit janë shkruar me bojë të kuqe, ndërsa inicialet e mëdha të
stilizuara janë shkruar me të kuqe të gërshetuar me të bardhën e letrës dhe herë pas here
është shtuar pak e zezë ose bezhë. Shkronjat kapitale janë me lule ose me shumë antena
që i japin bukuri. Çdo gjë në këtë kodik është shkruar me shije dhe me art. Brenda tekstit
ndeshemi edhe me përdorimin e shkronjave kapitale. Teksti është shkruar nga një dorë e
vetme”.
Për Kodikun nr.51, të Beratit, Naço, pasi jep me hollësi përmbajtjen, dëmet e gjendjen e
kapakëve, vëren: “Dy fletët e fundit të kodikut janë të shkruara me shkrim të imët në
dyshkolonë, ndryshe nga pjesa tjetër e kodikut. Gjithashtu edhe letra është tjetër. Kjo na bën
të mendojmë se këto dy fletë i janë shtuar kodikut më vonë, por që ka shumë mundësi të jenë
më të hershme nga vetë kodiku. Ato mund të jenë shkëputur nga ndonjë kodik më i vjetër ose
janë mbeturina të një kodiku më të hershëm”.
Gjatë studimit të Kodikut nr.52, të Beratit, që është mineji i muajit janar, autori, pasi ka nxjerrë
të gjithë përmbajtjen e tij, jep disa të dhëna me shumë interes sidomos në lidhje me
ngjashmërinë e këtij kodiku me Kodikun nr.51, të Beratit,: “Kapakët janë prej dërrase të veshur
me lëkurë me zbukurime floreale dhe lineare të presuara. Dërrasa është me vrima të
shkaktuara nga brejtësit (insektet-mola). Po ashtu edhe lëkura është e dëmtuar, pasi në
pjesën më të madhe është e ngrënë duke u dëmtuar kështu cipa e hollë e zezë. Dëmtimi
është i atillë sa që pak gjurmë mbeten nga zbukurimet floreale dhe lineare të stilizuara. Në
kurriz dy kapakët janë lidhur edhe me copë prej liri e spango prej liri që forcon lidhjen. Në
anën e hapjes ka dy thumba në kapakun e parë ku fiksohej kodiku kur mbyllej. Lidhja e kapakut
në kurriz, veç dy cepave me spango të ngjeshur fort, bëhej edhe në katër vende të tjera në
largësi të njëllojtë. Në anën e hapjes së kapakut të poshtëm në dy anët kapaku kishte lidhje
trekëndëshe me tre fije lëkure ku fiksoheshin në thumbat që gjëndeshin në kapakun tjetër.
Kapakët dhe mënyra e lidhjes e Kodikut nr.52, të Beratit, janë pothuajse të njëjtat me ato të
Kodikut nr.51, të Beratit. Po ashtu, edhe zbukurimi i kapakëve është i njëjtë. Tipare të tjera të
përbashkëta midis këtyre dy kodikëve të lartpërmendur janë cilësia e mirë e letrës, kafja e
thella e bojës, që është e njëjtë në të gjithë kodikun, dora e vetme e shkruesit (kopjuesit), e
kuqja e titujve dhe inicialeve kapitale, si edhe stili dhe motivet e njëjta të shkronjave kapitale
anësore të stilizuara. Afërsia e kohës së kopjimit të Kodikut nr.51, të Beratit, dhe atij nr. 52;
cilësia e lartë e shkrimit dhe tiparet e tjera të përbashkëta, si edhe shtimi në të dy anët e
këtyre kodikëve të fletëve nga fragmente kodikësh për përforcim na bën të supozojmë se
kopjuesi i Kodikut nr.52, të Beratit, duhet të jetë Simeoni, që kopjoi disa vjet më parë edhe
Kodikun nr.51, të Beratit. Gjë tjetër e përbashkët e këtyre kodikëve është se ata janë të datuar.
Kështu mund të bëjmë fjalë për një shkollë shkrimi në kishat dhe manastiret e kalasë së
Beratit, sa që marrin edhe porosi nga autoritetet të larta të vendit e më tej. Si në shënimin
bibliografik të Kodikut nr.51, të Beratit, ashtu edhe në atë të Kodikut nr.52, të Beratit, vihet re
se autorët (ose autori) bën gabime ortografike, çka tregon për mangësi gjuhësore njohëse të
kopjuesit, që duhet të ishte kopjues shqiptar”.
Nga të dhënat për Kodikun nr.53, të Beratit, që është një dorëshkrim me kanone (poezi fetare
në prozë) veçohet fakti që autori e quan me interes, midis të tjerash, përshkrimin e shenjave
ujore: “Veçanti e këtij kodiku është se ka vetëm një shenjë ujore në të 338 fletët e tij.
Shenja ujore alternohet midis fletëve. Kjo shenjë ka dy rrathë të lidhura midis tyre me një vijë
që përfundon në një kryq latin. Në pesë fletët e fundit ndeshim një tjetër shenjë ujore, që në
këto fletë është dy herë. Kjo shenjë është një pëllëmbë e shtrirë që mban një lule
gjashtëpetalëshe. Duke vëzhguar me kujdes shenjat, si shpeshmërinë e tyre, vazhdimësinë
e tekstit, cilësinë e letrës etj. mund të shtrojmë disa pyetje:
A është letra e njëjtë, apo fletët e fundit janë shtuar ngaqë letra nuk doli për të shkruar tekstin?
Pse të jetë e njëjta shenjë ujore në gjithë kodikun dhe vetëm në pesë fletët e fundit (kodikun e
kemi të plotë) ndeshim një shenjë tjetër ujore?
Në qoftë se 5 fletët e fundit janë shtuar më vonë nga kopjuesi, se nuk i mjaftoi letra dhe nëse
letra nuk është e njëjtë, a duhet hedhur hipoteza se lidhja e letrës në kodik bëhej në Berat dhe
nuk ishte i lidhur që në prodhimin e letrës?
Kapakët e kodikut, sipas Naços, janë prej dërrase të veshur me lëkurë. Në kurrizin midis dy
kapakëve është vendosur copë prej liri për lidhje dhe fiksim. Lidhja është bërë me spango
prej liri. Fiksimi i kapakëve të kodikut bëhet në mes me një thumb dhe lidhëse prej lëkure, në
ndryshim nga disa kodikë që fiksohen në dy anë. Lëkura e kapakëve është e dëmtuar shumë
nga insektet dhe lagështia. Kapakët kanë zbukurime floreale dhe lineare të presuara”. Ndërsa
më poshtë ai vazhdon me analizën e grafisë së tekstit. “Grafia ka vlera burkurshkrimore.
Teksti është shkruar me një bojë kafe të thellë, ndërsa titujt janë shkruar me ngjyrë të
kuqërremtë. Me këtë ngjyrë janë shkruar edhe shkronjat nistore kapitale. E veçanta e grafisë
së këtij kodiku është se brenda tekstit ka edhe shkronja kapitale të kuqërremta. Teksti është
shkruar në njëshkolonë me nga 32 rrjeshta për çdo faqe. Shkrimi është i drejtë, i njëtrajtshëm
dhe i shkruar nga një dorë. Ndryshim kanë fletët 338-342, ku teksti është shkruar nga një
dorë tjetër me bojë të kuqe. Shkronjat kapitale të stilizuara dhe vinjetat janë me ngjyrë të
kuqërremtë”.
Nga Kodiku nr.57, i Beratit, veçojmë të dhënat për shenjat ujore, grafinë dhe kapakët:
”Letra e këtij kodiku nuk është e njëjtë. 23 fletët e para janë me shenja ujore. Këto fletë janë
më të holla dhe me një farë shkëlqimi. Pjesa tjetër janë fletë pa shkëlqim, të punuara trashë
dha pa shenja ujore, çka na bën të mendoj se letra e këtij kodiku është dyprejardhjesh
(Perëndim-Lindje), e lidhur në vendin tonë dhe e shkruar prej njerëzve tanë.
Grafia: është ngjyrë kafe e çelët.
Titujt dhe shkronjat kapitale nistore janë me ngjyrë të kuqërremtë.
Teksti është shkruar në njëshkolonë me 27 deri në 35 rrjeshta për faqe. Në 23 fletët e para ka
më shumë rrjeshta sepse shkrimi është më i vogël, ndërsa në fletët e tjera shkrimi është më
i trashë. Në tekst ka gabime ortografike.
Shkronja kapitale të stilizuara nuk ka.
Shënime bibliografike dhe kronikale nuk ka.
Duket se shkrimi është shkruar nga dy duar. Fletët e para (deri në fletën 23) kanë shkrim të
ndryshëm.
Fleta e parë dhe dy të fundit janë shkëputur nga një kodik tjetër dhe janë vënë për të përforcuar
kodikun.
Kapakët janë prej dërrase që duhet të kenë qenë veshur me lëkurë. Dërrasat janë konsumuar
anash dhe kanë shumë vrima të shkaktuara nga mola. Lidhja e kapakëve është bërë me
spango në 5 pika fiksimi plus dy lidhjeve anësore të shtrënguara fort”.
Kodiku nr.62, i Beratit, që është një “tipikon”, për studiuesin K. Naço paraqet interes, përveç
të tjerash, për grafinë e tekstit. Kështu, sipas tij: “Grafia e këtij kodiku është shumë kaligrafike
e me shumë art. Teksti është shkruar në njëshkolonë me nga 20 rrjeshta për çdo faqe. Boja
e grafisë është kafe e thellë. Shkronjat nistore kapitale dhe shkronjat në fillim të fjalisë (kapitale)
janë me bojë të kuqe. Grafia është me shkrim të vogël. Rrallë përdoren edhe shkronja kapitale.
Më të shpeshta janë shkronjat si: E, G, T, Y. Grafia e fletëve 65-66 ndryshon pak nga grafia
tjetër, sepse e para është më e trashë, po ashtu ndryshon edhe forma e shkronjave. Ndoshta
është shkruar nga ndonjë dorë tjetër. Fletët 179 verso deri në 181 verso kanë grafi jo të mirë.
Duket se e ka shkruar një dorë jo e stërvitur mirë.
Shkronjat nistore kapitale janë me bojë të kuqe dhe një pjesë me bojë çiklamin.
Një veçori e përgjithshme e kodikut është se /shkrimi/ ndryshon vende- vende: 1. Përsa i
përket animit (këndit); 2. Përsa i përket trashësisë së shkronjave; 3. Përsa i përket bojës së
shkrimit, herë më e thellë (kafe) dhe herë më e çelët; 4. Përsa i përket hapjes së shkronjave
dhe fjalëve nga njëra tjetra. Anëshkrimet ku tregohen kapitujt janë me ngjyrë çiklamin.
Karakteristikë tjetër e shkrimit të këtij kodiku është të qenit, i imët”.
“Psallmet e Davidit” janë lënda e Kodikut nr.64, të Beratit. Gjatë studimit të këtij kodiku Naço,
pasi ka shqyrtuar përmbajtjen, jep të dhëna mbi dëmet që ka pësuar kodiku, kapakët e tij,
grafinë, zbukurimet, teksitn etj. Sipas tij, “… grafia është e tipit të vonë dhe ka vlera kaligrafike.
Ajo është shkruar nga një dorë dhe është e bukur. Ka shumë shkronja nistore kapitale në
ngjyrë të kuqe dhe shkronja kapitale të stilizuara. Fleta 118 ka shkrim ndryshe. Duhet të jetë
shkruar nga një dorë tjetër, pasi ka humbur fleta origjinale. Edhe pesë fletët e para kanë
shkrim tjetër, që do të jetë shtuar më vonë dhe është përdorur ngjyra kafe. Teksti është
shkruar në njëshkolonë me 24 rreshta për faqe. Në fletët e para jepet përmbajtja e kodikut, në
formë të përmbledhur të shtatë psallmet. Kodiku ka një vinjetë në fletën 64 verso, ku mbizotëron
kafeja e çelët e tekstit dhe e bardha e letrës. Boja e shkrimit dhe grafia e fletëve 2-6 dhe 118
ndryshojnë nga pjesa tjetër”.
Për Kodikun nr.66, të Beratit, mbasi na paraqet hollësishëm përmbajtjen, Naço jep vlerësimet
përsa i takon grafisë së kodikut dhe datimit të tij: “Grafia është me ngjyrë kafe të çelët. Titujt
dhe shkronjat kapitale nistore janë të kuqe. Ka shumë gërma kapitale të stilizuara. Tekti është
shkruar nga një dorë në njëshkolonë me nga 17 rrjeshta për faqe. Ka një rregullsi të madhe
si përsa i përket grafisë ashtu edhe paraqitjes. Brenda tekstit hasim përdorimin e shkronjave
kapitale si: E, D, Y, T, b, q.
Kapakët e kodikut kanë humbur. Kodiku është restauruar nga restauratorët e Arkivit Qendror,
të cilët kanë shtuar edhe kapakët imitacion të kapakut të vjetër prej lëkure.
Kodiku është i plotë nga fillimi deri në fund. Vetëm se 9 fletët e para janë grisur në pjesën më
të madhe të tyre, duke dëmtuar tekstin. Fleta e parë në faqen verso ka një shënim të
mëvonshëm, që është dëmtuar shumë. Megjithatë teksti është ruajtur pjesërisht.
Kodiku në fletën 2 fillon me një tekst hyrje, që ndoshta jepte të dhëna për kodikun. Përmendet
këtu peshkopi i Beotisë, Joasafi.
Në fund të kësaj hyrje jepet një datë 5 janar 1562, që ndoshta është data e fillimit të kopjimit
të kodikut.
Në fletën 3 faqja verso fillon të jepet pasqyra e lëndës së këtij kodiku, që vazhdon deri në
faqen 24 recto. Fletët 24 verso dhe 25 rekto janë të pashkruara. Në fletën 26 fillon teksti i plotë
i kodikut”.
Ndër të tjera, për Kodikun nr.70, të Beratit, që përmban “Meshën e Shën Gjon Gojëartit”,
autori, pasi ka analizuar gjendjen fizike të kodikut dhe shkrimin, ka arritur në përfundimin se:
“Kodiku ruhet i plotë. Kapakët janë prej kartoni. Mbi to janë shtuar nga restauratorët e Arkivit
Qendror kapakë të rinj pa hequr të vjetrit. Letra është kaba, e trashë.
Teksti është shkruar në njëshkolonë. Secila faqe ka nga 17-18 rrjeshta.
Grafia është e tipit të vonë, shkruar me bojë kafe të errët, ndërsa titujt dhe shkronjat nistore
kapitale të stilizuara me të kuqe të thellë (ngjyrë tulle).
Inicialet e stilizuara janë shumë të bukura, me shumë antena dhe me motive floreale (lule).
Këto shkronja janë të mëdha.
Shënimi i faqes së parë të këtij kodiku është interesant, qoftë për emrin e autorit, qoftë për
gabimet e shumta drejtshkrimore të kopjuesit gjë që më bën të mendoj se kopjuesi ishte
shqiptar dhe nuk e zotëronte mirë gjuhën greke.
Mendoj se teksti është shkruar nga një dorë, por duke përdorur dy mënyra të shkruari. Në
disa faqe të kodikut autori e bën shkrimin e drejtë dhe me shkronja me përmasa më të
mëdha dhe në disa faqe e bën shkrimin të përkulur dhe me shkronja më të vogla.
Brenda tekstit me shkrim minuskul hasim përdorimin e shkronjave majuskule, si p.sh. Q, G,
S, C, E, B, G.
Ndeshemi me të shkruarat në dy rrjeshta, një shkronjë mbi një tjetër wTN duke imituar të
shkruarit e kohrave më të hershme. Natyrisht ky përdorim nuk është i shpeshtë”.
Në fondin “Koleksioni i kodikëve” ka natyrisht edhe kodikë me prejardhje nga qytete të tjera të
Shqipërisë. Kështu, Kodiku nr.78, i Gjirokastrës, që është “pendikostar”, ka zënë vend në
këtë studim. Autori, pasi jep të dhëna me interes për gjendjen fizike të kodikut, analizon grafinë
e tij.
“Grafia e kodikut: Teksti është shkruar në njëshkolonë me nga 24 rrjeshta për faqe, me
përjashtim të fletëve 96-111 që kanë 22 rrjeshta për faqe. Në këto faqe ndryshon pak edhe
stili i të shkruarit në krahasim me pjesën tjetër të tekstit, ku grafia është e njëjtë. Shkronjat
nistore kapitale janë të kuqërremta pjesërisht dhe bojë bezhë. Titujt janë shkruar me bojën e
shkronjave nistore kapitale. Mendoj se kodiku është shkruar nga një dorë.
Kam një mëdyshje përsa i takon bojës nga fillimi i kodikut deri në fund, gjë që do të thotë se
kopjuesi e përgatiste vetë bojën dhe hera herës nuk e arrinte të njëjtën cilësi. Më rrallë kopjuesi
mund të përdorte penë tjetër, që mund të ishte më e hollë ose më e trashë nga e para brenda
një kodiku, gjë që duket nga grafia e tekstit të kodikut. Megjithatë mund të thuhet se shkronjat
nistore kapitale janë dy llojesh në këtë kodik, ato të stilizuara dhe ato të pastilizuara. Të parat
janë të ngarkuara me lule, antena, me motive Lindore. Zakonisht në kodikët më të vonshëm,
siç është edhe ky, ndihet një farë lirie më e madhe e kopjuesit. E njëjta gërmë e stilizuar
mund të ketë përmasa dhe motive të ndryshme.
Vinjetat janë të thjeshta, pa art, por që autori përdor motive të njohura më parë.
Kodiku nuk ka anëshkrime bibilografike sepse si fillimi ashtu edhe fundi tij është i dëmtuar”.
Duke përfunduar mund të them se studimi i z. Naço do të jetë padyshim një ndër studimet
më të vyera të kryera deri më sot. Vlera e kësaj vepre është shumëplanëshe. Krahasimi me
punimet e tjera të kryera nga studiues të huaj për këto lloj dorëshkrimesh është bërë me
mjaft kujdes dhe ka nxjerrë në pah shumëllojshmërinë e dorëshkrimeve të tilla në Shqipëri.
Fakt ky që, sipas autorit, dëshmon për ekzistencën në vendin tonë të një shkolle vendase për
krijimin e tyre. Duke lexuar përshkrimin e hollësishëm të gjendjes fizike dhe sidomos dëmeve
që kanë pësuar dorëshkrimet nga koha e nga njerëzit, të krijohet përshtypja se autori ka
përpara një qënie të gjallë e jo thjesht një dorëshkrim. Me sa duket fuqia e një dorëshkrimi që
përmban shkrime të shenjta është e tillë sa që imponon këtë trajtim. Vetëm mendimi se këto
dorëshkrime të krijuara shekuj më parë mbijetuan deri në ditët tona, u jep atyre cilësi, ndoshta
edhe të mbinatyrshme. Jeta e tyre është padyshim e mbushur me të fshehta, por një gjë
është e sigurtë, diçka hyjnore i mbrojti e i shpëtoi ato nga shkatërimi.
Në vijim, për të lehtësuar vlerësimin e lexuesit për qëllimin dhe arritjet e kësaj vepre ende të
papërfunduar për kodikët e Shqipërisë, po japim një shembull të plotë përshkrimor të një
kodiku, shkëputur nga punimi i z. Naço:
“Vendndodhja: Në Arkivin Qendror, F. 488, Kodiku Br. 4.
Emërtimi i kodikut: Katërungjill.
Materiali mbi të cilin është shkruar: pergamenë e një cilësie shumë të mirë.
Përmasat e kodikut: 20,5 cm x 16 cm. Trashësia me gjithë kapakët është 8 cm.
Teksti është shkruar në një kolonë me nga 25 rrjeshta në çdo faqe.
Kapakët e kodikut janë prej dërrase veshur me lëkurë dhe mbi të veshur me pëlhurë, që ruhet
jo e plotë.
Shkrimi i tekstit është në ngjyrë kafeje të hapur, në të kuqe. Shkronjat e kanoneve, kapitujt e
çdo ungjilli si dhe inicialet e perikopeve janë prej ari. Shkrimi i përdorur në këtë kodik është
shkrimi miniskul. Shkrimi është tepër i bukurshkruar, një punë me të vërtetë artistike nga më
të mirat e bukurshkrimit bizantin. Përmasat e shkronjave janë të rregullta, po ashtu edhe
hapësira midis shkronjave si edhe midis fjalëve. Shkrimi është i drejtë me një anim shumë të
lehtë nga e djathta. Megjithëse kodiku është shkruar me shkrim miniskul, në të hasim edhe
përdorimin e shkronjave kapitale, por vetëm në fillim të rreshtave, herë pas here.
Gjendja fizike: Nga kodiku janë shkëputur gjithsej 11 fletë pergameni. Konkretisht janë hequr:
2 fletë midis fletëve 1 e 2 me numërimin e sotëm; 1 fletë midis fletëve 3 e 4; 1 fletë midis
fletëve 4 e 5; 1 fletë midis fletëve 72 e 73; 1 fletë midis fletëve 116 e 117; 1 fletë midis fletëve
124 e 125; 1 fletë midis fletëve 196 e 197 dhe 2 fletë midis fletëve 237 e 238. Midis fletëve 180
e 181 është shqyer 1 fletë.
Përmbajtja e kodikut: Kodiku përmban katër ungjijt pas Mateut, Markut, Lukës e Gjonit. Në
fletët 2 deri 4 janë dhënë kanonet që tregojnë peikopetë, që lexohen gjatë gjithë vitit dhe
festave sipas Eusebit dhe shënime rreth kanoneve. Fleta e parë e kanoneve është prerë dhe
ka humbur. Në fletën 5 përfshihen kapitujt (kefalaia). Kapitujt nuk janë të plotë, sepse është
shqyer një fletë në të cilën fillonin kapitujt. Në fletën 6 dhe 7 rekto përfshihet epistola e Eusebit
dërguar Karpianit rreth 10 kanoneve. Në fletën 7 verso janë shkruar kapitujt e Ungjillit pas
Mateut, gjithsej 21 kapituj. Në fletët 9 deri 72 përfshihet teksti i Ungjillit pas Mateut. Në fletët 73
e 74 përfshihen kapitujt dhe çështjet (hytothesis) të Ungjillit pas Markut. Në fletën 74 duhej të
ishte miniatura me portretin e ungjillor Markut, por fleta fatkeqësisht është shqyer. Në fletën
75 fillon teksti i Ungjillit pas Markut, që vazhdon deri në fletën 113 rekto. Në fletët 113 verso
deri 115 përfshihen kapitujt dhe çështjet e Ungjillit pas Lukës. Në fletën 116 verso është
portreti i ungjillor Lukës duke shkruar Ungjillin. Teksti i Ungjillit pas Lukës vazhdon deri në fund
të fletës 185. Në fletët 186 e 187 përfshihen kapitujt dhe çështjet e Ungjillit pas Gjonit. Në
fletën 118 verso është portreti i Ungjillor Gjonit. Në fletët 189 deri në fletën 237 përfshihet
teksti i Ungjillit pas Gjonit. Fleta e fundit nuk ka asnjë lidhje me kopjuesin e këtij kodiku. Kjo
përmban një pjesë nga Ungjilli pas Gjonit, që bën fjalë për episodin e faljes së Savrës.
Piktura e dekoret: Në tri fletët e para ruhen gjashtë kanone me ornamente prej skemash të
ndryshme të pikturuara prej lulesh të stilizuara në të cilat mbizotëron më shumë ngjyra blu
dhe vijat përkufizuese të tyre janë prej ari. Sipër tyre janë pikturuar nga dy pallonj, thëllëza
dhe tre zogj të stilizuar, mbi çdo kanon nga dy shpendë. Kodi ruan figura e piktura të tre
ungjillorëve: në fletën 8 ruhet figura e Ungjillor Mateut; në fletën 116 ruhet figura e Ungjillor
Lukës, në fletën 188 ruhet figura e Ungjillor Gjonit, midis feltëve 74 e 75 duhej të ishte figura
e Ungjillor Markut, por është shkëputur një fletë.
Këto figura, me gjithë dëmet që kanë pësuar, sidomos në portretet, paraqesin mjaft interes.
Vlera e tyre artistike është e madhe, parë nga çdo aspekt; nga ana e kompozimit, ngjyrës,
plastikës etj.
Kodiku ruan vinjeta të pikturuara me të njëjtat motive lulesh si tek kanonet. Këto gjenden në
fletët: 6, 7, 9, 73, 74, 75, 113, 115, 117, 186 dhe në dy faqet e fletës 189.
Shënime bibliografike: Kopjuesi i kodikut nuk la asnjë shënim bibliografik, që hasim në kodikë
të tjerë dhe që në përgjithësi bëjnë fjalë për autorin, për kohën kur u shkrua, për vendin ku u
shkrua, për financuesin, si edhe për zotëruesin, që mund të jetë institucion apo person i
veçantë.
Anëshkrime: Ky kodik në anën e brendshme të kapakut dhe në fletën e parë ka gjithsej tre
anëshkrime, të cilat po i paraqesim më poshtë:
Anëshrimi i parë:
Në muajin mars në datën tetë tërmet i madh. U çanë kisha, ranë shtëpi, u hap toka. Kështjella
e Tepelenit ra e gjitha dhe u vranë 300 shpirtra.
Anëshkrimi i dytë:
Në muajin mars në datën tetë tërmet i madh ra në mesnatë duke u gdhirë e djela, u çanë
kisha dhe ranë shtëpia dhe kisha dhe kështjella shumë dhe toka u ça dhe në meshën e
madhe të Evangjelizmoit ra kështjella e Tepelenit dhe u vranë 300 shpirtra.
Anëshkrimi i tretë:
Viti 1701 në muajin mars në datën 8 ra tërmet I madh në mesnatë duke u gdhira e djelë,
pothuajse u çanë kisha dhe ranë shumë shtëpi dhe kisha dhe shumë kështjella ose fortesa
dhe në shumë vende toka u hap dhe shpërthyen ujra dhe mbajti tërmeti i madh 17 ditë dhe në
datën 25 në meshën e madhe të Evangjelizmoit ra tërmet i madh dhe ra kështjella e Tepelenit
dhe u vranë 300 njerëz vetëm atë natë të Evengjelizmoit dhe më pas pak nga pak pushoi.
Këto tre anëshkrime bëjnë fjalë për një ndodhi. Ato plotësojnë njëra-tjetrën. Shkronjat që
bëjnë fjalë për vitin kur ra tërmeti janë shkruar keq dhe ishte shumë e vështirë për t’i deshifruar,
megjithatë arrita të deshifroj vitin 1701. Kjo datë duhet kryqëzuar me njoftime të tjera për të
qenë të sigurt.
Këto anëshkrime janë shkruar pa ndonjë bukurshkrim, me gabime ortografike dhe sintaksore
çka tregon se janë shkruar nga një shqiptar që nuk e zotëronte mirë gjuhën greke.
Krahasimi i tekstit të këtij kodiku me botimin kritik të tekstit të Dhjatës së Re. Pas një krahasimi
të pjesëshëm të tekstit ungjillor të këtij kodiku me tekstin e botimit kritik të Nestle-Aland rezultoi
se kodiku për të cilin është fjala ka ndryshime të cilat konsistojnë në: 1. Ka fjalë që mungojnë
në tekstin kritik; 2. Ka përdorimin e shpejtë të pikave gjë që çon në përdorimin e fjalëve të
vogla, 3. Ka edhe ndonjë mungesë në drejtshkrim si hipogjegrameni, theksi etj. 4. Në shumë
raste mungon përdorimi i -s- fundore. Krahasimi se çfarë ka më tepër dhe çfarë mungesa ka
do të na nxjerrë në pah se me cilët kodikë ka ngjashmëri dhe me cilët jo, çka do të na
ndihmojë edhe për përcaktimin e origjinës së tekstit të kopjuar. Ky krahasim do të plotësohet
më mirë edhe me krahasimin e miniaturave, vinjetave dhe zbukurimeve të tjera“.

 

* Kodikët e Shqipërisë

 

Burime:
1. Çarl Grimberg, Ragnar Svanström – “Histoire Universelle” vol.III
2. H.Daniel-Rops – “Histoire du Christianisme”
3. Taciti – “Analet”, vol.III
4. Enciclopedia “Britanica”
5. Enciclopedia “Trecani”

[cite]