TËRMETI I 1 QERSHORIT 1905


TËRMETI I 1 QERSHORIT 1905
✤ Ra në orën 05:42, pati magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër mbi 9 ballë. Goditi shumë rëndë qytetin e Shkodrës dhe fshatrat rreth tij. Zona epiqendrore kapi fshatin Trush dhe një pjesë të zonës së Nënshkodrës, duke përfshirë Bahçallëkun dhe pjesën jugore të qytetit. Epiqendra makrosizmike kishte koordinata 42°00 V, 19°50 L, e thellësi vatre 11 km. Në vendin tonë pati rreth 200 të vdekur dhe rreth 500 të plagosur. Vetëm në qytetin e Shkodrës u shkatërruan plotësisht 1500 shtëpi.

Në zonën epiqendrore u vunë re dukuri të shumta. të shkatërrimit të truallit, si rrëzime të brigjeve të Bunës, Kirit dhe Drinit, çarje të mëdha toke me shatërvane uji dhe rëre, shformim dhe valëzim i truallit etj. Në afërsi të fshatit Trush u vrojtua edhe dalja në sipërfaqe e një thyerjeje me drejtim JP-VL, sipas së cilës blloku VL ishte më i ngritur. Brenda Shkodrës së vjetër intensiteti sizmik ndryshonte nga 9 ballë për shkak të kushteve të këqija të truallit (Bahçallëk; Tabakë etj), deri në 7 ballë (në gëlqerorët e lagjes Pazar).

Ky tërmet u shoqërua nga një numër shumë i madh pasgoditjesh (rreth 600 pasgoditje) të cilat vazhduan deri në korrik 1906. Ishin shumë të fuqishme ato të 3 qershorit, 16 korrikut dhe 4 gushtit 1905, që kishin përkatësisht magnitudë 6.0-5.8 dhe 5.9 dhe intensitet në epiqendrat e tyre deri 8 ballë.

Pasojat e këtij tërmeti qenë një tragjedi e vërtetë për popullsinë, e cila nuk mundi t’i likuidonte ato për vite me radhë. Pas këtij tërmeti Shkodra u zhvendos në vendin e sotëm. (Si. Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tërmeti I 1 Qershorit 1905


[cite]