TËRMETI I 30 NËNTORIT 1967


TËRMETI I 30 NËNTORIT 1967
✤ Ra në orën 08:23, pati magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë; goditi më rëndë rrethet e Dibrës dhe të Librazhdit, epiqendra ndodhej në fshatin Prodan (rrethi i Dibrës), me koordinata 41,35° V 20.40° L dhe thellësi vatre 14 km. Në vendin tonë pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur; u dëmtuan 6335 ndërtesa banimi dhe objekte social-kulturore, nga të cilat 534 u shkatërruan plotësisht. Brenda 25 ditëve pasojat e këtij tërmeti u likuiduan plotësisht, me shpenzimet e shtetit. Për këtë punuan me vetëmohim me mijëra punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. Filloi edhe aksioni i ndërtimit të shtëpive me ndihmesë vullnetare (shih).

Ndër dukuritë më interesante që u vunë re në truall, gjatë këtij tërmeti, ishte thyerje e Tokës me gjatësi mbi 10 km, me zhvendosje vertikale rreth 50 cm gjatë thyerjes. Ajo fillonte në Qafën e Përvallës dhe vazhdonte përtej fshatit Sebisht (Dibër) me azimut shtrirje 40° VL. Ky tërmet u shoqërua me shumë pasgoditje, të cilat vazhduan deri në muajin maj 1968. Më e forta në këtë seri ndodhi më 2 dhjetor 1967 në orën 13.14, pati magnitudë 5.3 dhe intensitet në epiqendër 7 ballë.

(E. Su.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tërmeti I 30 Nëntorit 1967


[cite]